A do ta bëjë VV Isa Mustafën President të Kosovës?

Pas fitorës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 6 tetorit u ngjall një shpresë euforike se kjo do të jetë një fitore e rëndësishme drejt ndryshimeve të mëdha në Kosovë.

Por, natyrisht, derisa VV nuk ka ariitur të marr më tepër se 26 përqind të votave të përgjithshme, një koalicion me ndonjë parti tjetër është i pashmangshëm. Në rrethanat e tanishme opsioni i vetëm i pranueshëm për VV-në është LDK-ja (me 25 përqind të votave).

Kjo për shumicën duket e pashmangshme dhe për shumëkë duket lehtë e arritshme. Edhe në deklarimet e të dyja partive para dhe pas zgjedhjeve vërehej një optimizëm dhe siguri në këtë drejtim.

Por sa po ecën koha kjo po duket gjithnjë e më e vështirë dhe që nuk do të shkojë aq mirë.

Sipas burimeve të Fokusit njëri nga problemet që kanë has këto dy parti është posti i Presidentit të Kosovës. LDK po këmbëngul që ky post t’u takojë atyre dhe atë me kandidatin “që i plotëson të gjitha kriteret” – për Isa Mustafën.

Por a do të gjejë forcë Vetëvendosje ta bëjë një marrëveshje të tillë, ta lejojë e ta votojë Isa Mustafën për President, njeriun të cilit ia ka ngritur 77 padi për korrupsion, njeriun i cili e nënshkruajti “zajednicën”, njeriun i cili ishte kryeministër kur u nënshkrua demarkacioni me Malin e Zi, njeriun të cilin e patë gjuajtur me vezë, ujë e sprej (madje edhe vet Albin Kurti), njeriun të cilin e VV publikisht nëpër sheshe e quajti “njeri të Serbisë” (Isë, Isë argati Serbisë) etj., në fund të fundit, njeriun që paraqet realisht çdo gjë të vjetër e asgjë të re, e asgjë që na asocon në ndryshim, mbetet të shihet.

Kjo është vetëm një nga shumë sfidat që do t’i ketë mundësia për marrëveshje në mes të LVV e LDK./Fokusi.info/