A do ta shkarkojë Kryeministri Haradinaj sot edhe Ministrin Teodosijeviq

Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë nga Lista Serbe, Ivan Teodosijeviq, gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, në Zveçan, ka mohuar se ka pasur masakër në Reçak.

Ai i ka quajtur trillues dhe gjakpirës shqiptarët. Për një qëndrim pak a shumë të ngjashëm Haradinaj më 25 mars e shkarkoi Vesna Mikiqin, zëvendësministre e Drejtësisë. Lajmi për këtë deklaratë të Tedosijeviq u bë publik sot. Sot Haradinaj duhet ta shkarkojë atë.

Ministri i MAPL-së në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, ka vendosur të provokojë për intervenimin e NATO’s në Kosovë sikurse që kishte bërë bashkëkombësja e tij Vesna Mikiq gjatë muajit mars kur e kishte quajtur akt gjenocidal ndërhyrjen e aleancës veriatlantike për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës. Mikiq për këtë ishte shkarkuar menjëherë nga Kryeministri Haradinaj kur deklarata ishte publikuar në media.

E Teodosijeviq ka shkuar edhe më larg – e ka quajtur gënjeshtër masakrën e Reçakut e shqiptarët trillues dhe gjakpirës.

“Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim, kurse janë terroristët shqiptarë atë që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Teodosijeviq në Zveçan.

E sipas fjalëve të Haradinajt kur kishte shkarkuar Vesna Mikiqin individë që flasin diçka të tillë nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës

“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq” kishte shkruar Haradinaj.

Pikërisht për shkak të këtij qëndrimi, Kryeministri duhet ta “lirojë’ edhe Teodosijeviqin sado që kjo është punë me rrezik për Qeverinë Haradinaj.