A do të jetë Kurti Cipras i ri i Ballkanit?

Shkruan Agon Maliqi

Prej kur Vetëvendosja doli e para në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, ata që i ndjekin zhvillimet në Ballkan i mbërtheu një hutí: çfarë do të thotë fitorja e Albin Kurtit për Kosovën dhe rajonin?

Përgjigjja mbetet e paqartë, dhe fuqia e Kurtit tash për tash qëndron pjesërisht te tensioni dhe mëdyshja të cilën e ka krijuar. Por, disa grimca mund të qëmtohen nëse zhytemi më thellë në historinë e tij të ndërlikuar politike, e cila na tregon shumëçka për karakterin dhe idetë e tij.

Dikur një intektual antiestablishment dhe udhëheqës protestash—i cili brenda një dekade pësoi metamorfozë duke u bërë politikan krejt konvencional me kostum e kravatë—Kurti i përket një soji të rrallë politik në Ballkan.

Dukuritë politike si Kurti dhe Vetëvendosja, VV—e cila nisi si lëvizje e majtë nacionaliste e tipit antikolonial (jo ksenofobike)— njeriu është mësuar t’i gjejë diku në Amerikën Latine. Por edhe Kosova—ku shqiptarët për më se një shekull e përjetuan Serbinë si shtet kolonial, dhe më pas u sunduan prej një administate ndërkombëtare për një dekadë—po ashtu ka kuptim si sfond.

Përderisa në periudhën e pasluftës, diskursi mesatar intelektual në Kosovë ishte kapluar nga rrëfimi i të drejtave individuale dhe demokracisë—gjëra që predikoheshin prej BE-së, USAID-it dhe organizatave të tilla—Kurti e lexonte situatën e Kosovës prej prizmit të Franc Fanonit (i cili ishte lexim i detyrueshëm për aktivistët e VV-së atëbotë).

Komuniteti ndërkombëtar përmes vetë industrisë së shtetndërtimit—Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut, dhe misioneve të tjera të huaja—kishte vendosur një lloj tjetër të qeverisjes koloniale ku shqiptarët sërish u privuan nga subjektiviteti i tyre politik. Kurti besonte se Kosova meritonte vetëvendosje pa kërkuar leje. Ai edhe përfundoi në burg në përpjekje për ta shtyrë pëpara këtë argument, pasi organizonte protesta dhe e kundërshtonte legjitimitetin e pushtetit të UNMIK-ut.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008 duke i pranuar kompromiset e Planit të Ahtisarit, Kurti dhe lëvizja e tij—asokohë një grup i vogël njerëzish që mblidheshin në një shtëpi modeste të Prishtinës—ishin mbase të vetmit në Kosovë (pa llogaritur serbët e Kosovës) që nuk festuan. “Ky është një hap përpara dhe tre hapa prapa,” pati thënë asokohe Kurti, duke i drejtuar gishtin natyrës së kompromiseve.

Por, lëvizja e Kurtit shpejt mori hov, kryesisht për shkak të parehatisë së një pjese të madhe të shoqërisë rreth natyrës së shtetit të ri kosovar. Jo vetëm që pavarësia e Kosovës mbetej e kufizuar prej të huajve, por edhe minoriteti dikur i privilegjuar serb fitoi të drejtën e vetos kushtetuese dhe decentralizimin etnik. Kurti parashikoi se Serbia do t’i përdorte këto për ta sabotuar Kosovën. Gjithçka tjetër që kishte të bënte me shtetin po ashtu ngjante e huaj dhe e imponuar—simbolet neutrale të parrënjëzuara në histori, himni pa tekst, etj.

Kandidimi i parë i Vetëvendosjes në vitin 2010 si nismë qytetare u bë me premtimin e delegjitimimit të sistemit të ri politik nga brenda. Fushata sillej rreth temave të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe bashkimit me Shqipërinë. Partia e re antiestablishment, aktivistët e së cilës shembnin automjete të EULEX-i në vitin 2009, pretendonte se ishte përfaqësuesja e vërtetë e vullnetit të shpërfytyruar të popullit dhe mori rreth 12 përqind të votave.

Por, me të hyrë në kuvend, VV-ja filloi të shndërrohej në një parti të mirëfilltë politike. Duke sjellë figura të moderuara dhe profesionistë sikur Shpend Ahmetin, Kurti filloi të ndërtonte një strukturë me ambicie për të qeverisur, për të lidhur koalicione, dhe për të krijuar kontakte me bashkësinë ndërkombëtare. Diskursi politik nisi të përqendrohej më pak në çështjet simbolike identitare sikur flamuri, e më shumë në çështje të përditshmërise si punësimi dhe korrupsioni.

Sipas narrativës së ndërtuar me sukses nga Kurti—e cila shpejt u përqafua nga pjesa tjetër e opozitës dhe zëra brenda shoqërisë civile—Hashim Thaçi tanimë nuk ishte vetëm tradhtari dhe kukulla e fuqive të huaja, që e kishte zhveshur Kosovën nga identiteti shqiptar, po edhe koka që e kishte kapur dhe po e zhvaste shtetin.

Në vitin 2013, Vetëvendosja i fitoi zgjedhjet komunale në Prishtinë dhe ndërtoi një bazë të fortë urbane anekënd Kosovës, duke e gëzuar mbështetjen e rinisë së pakënaqur me elitën qeverisëse. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, VV-ja kandidoi me platformë standarde socialdemokrate, ku temë qendrore ishin politikat e tatimit progresiv dhe ndërhyrjet shtetërore në ekonomi.

Kur në vitin 2015 qeveria e re PDK-LDK u nxit nga BE-ja dhe ShBA-ja që të nënshkruajë marrëveshje të ndjeshme me Serbinë gjatë bisedimeve në Bruksel—sikur ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi—Kurti risolli çështjet nacionaliste në ballë të axhendës së VV-së. Ai zgjuarsisht u imponua si lider i gjithë opozitës dhe udhëhoqi prostesta masive, bllokoi kuvendin me gaz lotsjellës, dhe sërish u fut në burg.

Vëmendja e Vetëvendosjes ndaj këtyre çështjeve i acaroi marrëdhëniet me partnerët e huaj. Por mosmiratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi e rrëzoi qeverinë dhe VV-ja u bë partia më e madhe në kuvend pas zgjedhjeve të vitit 2017 (edhe pse dolën të dytët pas koalicionit PAN).

Pastaj erdhi ajo plasaritja brenda partisë që çoi der te ndarja dramatike. Trembëdhjetë deputetë të fuqishëm, bashkë me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, e braktisën Vetëvendosjen pas mosmarrëveshjeve me Kurtin rreth strategjisë politike dhe ndarjes së pushtetit brenda partisë—por mbi të gjitha për shkak të humbjes së besimit të ndërsjellë. Grupi i shkëputur akuzonte Kurtin se po e ushqente një kult personaliteti, por e humbën betejën e marrëdhënieve me publikun. Kurti e bindi opinionin publik se ata qenë tradhtarë që donin të bashkëpunonin me qeverinë. Pavarësisht kësaj, VV-ja në fillim u dëmtua fort nga këto ngjarje, dhe sondazhet e tregonin rënien e saj nga gara për vendin e parë.

Por loja e gjatë dhe këmbëngulja e Kurtit u shpërblyen muajin e kaluar. Ai përfitoi nga pezmi i opinionit publik me partitë e “krahut të luftës”, të cilat kishin qeverisur në koalicionin e fundit. Ai ia doli t’i befasojë shumicën e analistëve duke e tejkaluar numrin e votave për VV-në në vitin 2017, duke dalë e para—1.6 pikë përqindje para partisë tjetër opozitare, LDK-së.

Çarja e “krahut të luftës” për shkak të çështjes së “korrigjimit të kufijve” me Serbinë e ndihmoi Kurtin, sepse të tria partitë përfunduan duke garuar ndaras. Por, shkaqet kryesore për rezultatin e tij qenë fushata pozitive dhe e mirorganizuar, si dhe fakti se votuesit e frustruar, më shumë se çdo gjë tjetër, gjykuan karakterin e atyre që ishin në garë. Në misionin “për t’i përjashtuar komandantët”, votuesit e lëkundur i besuan historisë së vendosmërisë së Kurtit më shumë se luhatjeve të LDK-së. Përgjatë viteve, Kurti kishte demonstruar se është edhe intelektual, edhe jo i prirë nga përfitimet materiale—në të gjitha mënyrat e mundshme, ai qe kontrasti më i madh me establishmentin politik.

Por, fitorja e tij e ngushtë nuk qe aspak dërrmuese, dhe as nuk përbën mandat për revolucion. Ai thjesht mori vota të mjaftueshme për ta siguruar pozitën e kryeministrit. Tash, ai duhet të bashkëqeverisë me LDK-në—parti kjo që mund të përshkruhet si antitezë e revolucionit, sinonim i statuskuosë dhe, fatkeqësisht për aspiratat panshqiptare të Kurtit, partia më “kosovocentrike”.

Është e paqartë se si Kurti do ta luajë lojën ndërkombëtare prej pozitës së pushtetit, sidomos sa i përket dialogut me Serbinë. Pa dyshim, Kurti nuk është njeri të cilin dikush mund ta detyrojë dhe shantazhojë. Qysh kur fitoi, ai po flet me një ton prej burrështetasi dhe e ka kritikuar kryeministrin në largim, Ramush Haradinajn, se në lidhje me çështjen e taksave ndaj mallrave serbe u tregua “më shumë kokëfortë sesa parimor”. Por, ai po ashtu ka thënë se është kundër marrëveshjeve të ngutshme dhe ndryshimeve të kufijve, duke parapëlqyer cilësinë mbi shpejtësinë.

Kurti vështirë se është i parashikueshëm sepse hera-herës është treguar edhe si ideolog majtist i tipit të Xheremi Korbin, me besime të forta e vetëmposhtëse, edhe si realist i tipit të Aleksis Cipras, i cili pa telash ndryshon kahjen për ta arritur një qëllim. “Kam ndryshuar strategjitë, jo qëllimet”, pati thënë së voni kur iu kërkua t’i shpjegojë transformimet e tij. Oportunizmi në emër të arritjes së idealeve ka qenë po ashtu karakteristikë e njërit prej frymëzuesve të Kurtit-Leninit.

Diçka që mund të heqë pak mjegull rreth të menduarit të Kurtit është një vështrim i tij kritik për Ciprasin—liderin ballkanik më të përafërt me të. Kurti u parafrazua t’u ketë thënë gazetarëve se ai kishte përcjellë për së afërmi trajektoren e Ciprasit dhe mendon se gabimi i tij është “luftoi më shumë me Gjermaninë dhe Merkelin, sesa me oligarkinë vendase.”

Mbetet të shihet sesi Kurti do ta përkthejë këtë mësim në kontekstin kosovar. Kosova nuk ka ndonjë kreditor të madh të jashtëm të cilit i detyrohet para. Por, ka kreditorë politikë dhe të sigurisë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë parashtruar kërkesa të posaçme dhe kanë bërë kërcënime sa i përket dialogut.

Deri tash, sikundërqë tregon ngurrimi i Kurtit për të bërë marrëveshje të shpejtë, nuk duket se kryeministri në ardhje është në të njëjtën vijë mendmimi me aleatin kyç të Kosovës. I dërguari special i ShBA-së, Methju Palmer, së voni është takuar me Kurtin dhe ka pasur fjalë të mira për koalicionin e ri sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe axhendës së sundimit të ligjit. Por, ai gjithashtu theksoi se Kurti “ende nuk e ka integruar në të menduarit e tij faktin se dialogu është i rëndësishëm EDHE për Shtetet e Bashkuara”.

Ish-rebeli që luftoi kundër nënshtrimit të Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare duket majft i interesuar për të ndërtuar bashkëpunime strategjike me partnerë, siç edhe dëshmojnë takimet e fundit në Londër e Paris. Por, reagimi i Uashingtonit duket të jetë i ftohtë dhe në pritje të sinjaleve të Kurtit, ndërsa Berlini është më i kujdesshëm për shkak të panshqiptarizmit të tij. Në rajon, sfida më e madhe e Kurtit mbetet ndreqja e marrëdhënieve të tendosura me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Por, nëse po themi se ai po mësyn të bëhet partner strategjik i Perëndimit, dhe nëse thotë se nuk i ka ndryshuar qëllimet—shtrohet pyetja: cilat janë qëllimet e sakta që ai mëton t’i arrijë përmes këtyre bashkëpunimeve strategjike?

Qëllimet e Kurtit po ashtu kanë qenë të lëvizshme. Shumë kritikë, përfshirë partneren e tashme të koalicionit nga LDK-ja, Vjosa Osmanin, thonë se konsistenca më e madhe e Kurtit ka qenë dëshira e tij e pakompromis për pushtet. Edhe kritikët më të ashpër ia japin dorën Kurtit për integritetin e tij personal kur vjen puna te çështja e korrupsionit. Por ai po ashtu ka treguar se ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me disa prej figurave më të korruptuara në Kosovë për të arritur aty ku është.

A do ta definojë ky lloj pragmatizmi realist dhe dëshira për pushtet, qasjen e tij ndaj politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë? Apo do të ngadhënjejë kryeneçësia e tij ideolgjike?

Cipras prapë vjen ndërmend si model potencial. Kush do ta kishte parashikuar në vitin 2014 se lideri i së majtës radikale greke do t’i printe kthesës më të madhe proamerikane në mbamendje të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Greqisë, duke e shndërruar këtë shtet në partner kyç të sigurisë për ShBA-në në Mesdheun Lindor, dhe shtyrjes përpara të marrëveshjeve historike për NATO-n sikur atë me Maqedoninë e Veriut?

Një gjë është e sigurt. Kurti mund të jetë i kufizuar nga koalicionet dhe nga politika e brendshme, por ai po ashtu ka legjitimitet të qartë dhe kapital politik të mjaftueshëm për të harxhuar. Ai gëzon një lloj besimi nga mbështetësit e tij (e gjithashtu nga publiku i gjerë) që e përligj çfarëdolloj ndryshimi të qëndrimit. Siç edhe e ka bërë deri tash: duke i arsyetuar ndryshimet me rrethanat dhe me nevojën për të arritur qëllime të caktuara.

Një gjë tjetër është po ashtu e sigurt: Kurti është shumë i mençur, është definicioni i një kafshe politike, dhe i kupton interesat e përfshira shumë mirë. Nëse, sipas tij, ai ka mësuar diçka të vlefshme nga Cipras, ai do të bëhet lojtar realist i pushtetit dhe do të bashkëpunojë me partnerët perëndimorë për të punuar drejt zgjidhjeve për rajonin, duke ia dhënë njëkohësisht Kosovës negociatorin e fortë dhe të mençur që i duhet.

Kjo po ashtu do të thotë se ai do të duhet ta kanalizojë axhendën e tij radikale te çështjet e brendshme si sundimi i ligjit dhe ekonomia, ku pritshmëritë janë tepër të larta, por edhe nuk është aq e vështirë të shkëlqehet në krahasim me qeverinë e kaluar. Shqetësimi është se në këtë dimension Kurti mund t’u nënshtrohet impulseve të tija autoritare, që i kemi parë gjatë rrugëtimit të tij drejt pushtetit. Parimet e demokracisë liberale për të janë thjesht pengesa procedurale në rrugëtimin për ta zbatuar “vullnetin e vërtetë të popullit”, të cilin ai këmbëngul se e përfaqëson.

Duke e zgjedhur këtë trajektore (natyrisht, pa autoritarizmin), ai mund t’i godasë dy zogj me një gurë – edhe ta bëjë gjënë e duhur, edhe ta rrisë popullaritetin e tij. Cipras nuk e pati këtë luks për shkak të ekonomisë së dërmuar të Greqisë dhe nevojës për ta bërë një ndryshim shumë më të mprehtë të kursit pas zgjedhjeve (që u përjetua si tradhti).

Të shpresojmë se kjo është trajektorja që Kurti do të zgjedhë.

Por, njeriu edhe mund të bëhet skeptik kur i kujtohet ajo anë e Kurtit që ndonjëherë i ngjan figurës kryeneçe e vetëmposhtëse të Xheremi Korbin.

—–

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon.