A do të ketë orë policore gjatë festës së Fitër Bajramit?

Fitër Bajrami është një festë ku njerëzit në ditën kur festohet mblidhen për ta falur në xhami, e më pas edhe i vizitojnë familjet e të afërmve, duke ia uruar me zgjatje dore.

Por, këtë vit do të festohet më ndryshe, shkruan Periskopi.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur rreth vendimit që kanë marrë për që të mos ketë organizim të faljes së namazit të Fitër-Bajramit në xhamitë e vendit e as në hapësira të tjera publike. Në vendimin e BIK-ut thuhet se nuk do të organizohet as pritje në selinë e këtij institucioni fetar, e as në selitë e këshillave lokalë.

E gjatë ditës së sotme ka qarkulluar një informacion se nga e shtuna në mbrëmje e deri në përfundim të festës së Fitës Bajramit do të ketë orë policore në qytetet e Kosovës.

Periskopi ka kontaktuar me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti i cili thotë se deri tani në fuqi janë masat e ndërmarra të cilat dihen tashmë.

‘’Në fuqi janë masat e ndërmarra. MSH, IKSHPK e BIK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të zbatohen rekomandimet për të shmangur ndonjë situatë që rrezikon shëndetin edhe individual edhe atë publik’’, përfundon Hoti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë besimtarëve, duke thënë se grumbullimi në vende publike përbënë ende rrezik për shëndetin qytetar.