A do të kollapsojë Kosova këtë fundvit nga grevat e protestat?

0
57

Sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë një paralajmërim të fuqishëm nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës se në rast se deri më 15 dhjetor nuk i përfill kërkesat e tyre për Ligjin e Pagave, mjekët do të shkojnë në grevë të përgjithshme në të gjitha nivelet.

Kështu u tha në një njoftim për media të lëshuar nga FSSHK. Aty shkruhet se do të ndërmerren masa radikale në të gjitha institucionet publike të shëndetësisë, shkruan lajmi.net.

“Këshilli Drejtues i FSSHK unanimisht kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që nëse Ligji i Pagave nuk kalon të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit në sistemit shëndetësor në lartësi prej 50% dhe kjo bazuar në faktin se nuk ka pasur rritje pagash që nga viti 2014. Këshilli Drejtues i FSSHK-së ia kujton gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësor si pasojë e inflacionit dhe shtrejtimit të jetës,rritje kjo e cila do të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendje,kjo rritje do të vlente deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave. FSSHK deri me datën 15 Dhjetor do të bisedojë me secilin anëtar të vet dhe njëkohësisht pret reflektim nga Qeveria për të cilën ka formuar një grup negociues,nëse edhe kjo nuk ndodh,FSSHK paralajmëron masa radikale sindikale, siç është ndërprerja e punës në të gjithë institucionet publike shëndetësore.”, thuhet në reagim.

Reagimi i mjekëve vjen pas një deklaratë të djeshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ku ky i fundit tha se gjasat për rritje të pagave në Kosovë janë relativisht të vogla dhe për këtë fajin e adresoi siç shprehet ai tek menaxhimi i keq 20 vjeçar.

“Natyrisht që unë i kuptoj grevat mirëpo mirëkuptimi im varet nga ligjshmëria e tyre pra duhet të kemi greva të ligjshme. Veçse Republika e Kosovës po bën gjithçka që t’iu dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësorë dhe u jemi përjetësisht falënderues mirënjohës, jo vetëm për angazhimin e deritanishëm, por edhe të vazhdueshëm dhe në vijim. Mundësitë e Kosovës janë relativisht të vogla dhe ne e dimë në çfarë gjendje janë ndodh sistemi shëndetësor dhe shërbimi mjekësor në përgjithësi në Kosovë për shkak të anashkalimit për më shumë se dy dekada”, ka thënë Kurti.

Përveç mjekëve, protesta e greva janë paralajmëruar nga mësimdhënësit. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës ka mbajtur një takim me krerë institucionalë.

Ai në një prononcim për lajmi.net pasi u takua me krerët institucionalë tha se nuk është pezulluar greva por do të bisedohet me kryetarët në nivele lokale lidhur me këtë.

“Nuk mund të ju them asgjë për pezullimin e grevës pasi që nuk jam ai që vendosi, tash mbetet të diskutojmë me kryetarët në nivele komunale. Do të shohim nëse takimin e mbajmë nga larg pasi që kryetarët në nivele komunale janë në procese mësimore, ose do të organizojmë takim fizik për të cilin do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se në takimin me ministrin Sveçla, i është premtuar që pas përgatitjes së Ligjit të Pagave, do të zhvillohen takime edhe me Sindikata për tu marrë parasysh kërkesat e tyre.

“Kemi zhvilluar takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri kjo që është sponzorizuese e Ligjit të Pagave pas bashkimit me Ministrinë e Administratës Publike. Aty ka qenë prezente edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tek e cila kemi shprehur gjithmonë shqetësimet tona dhe e cila ishte prezente aty për të treguar se është e interesuar që këto çështje të zgjidhen me dialog”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se Sveçla i ka informuar se do të ketë vonesa në hartimin e Ligjit të Pagave për shkak se po punohet në heqjen e defekteve në këtë Ligj.

“Ministri Sveçla ka konfirmuar se është duke u punuar në Ligjin e Pagave por është duke u punuar për heqjen e defekteve që i ka treguar Gjykata Kushtetuese dhe me të hequr këto defekte, Komisioni i formuar i punës do të ketë takime pune me Sindikata ose të gjitha bashkë ose veç e veç për të diskutuar për mendimet e tyre. Sveçla na premtoi që kjo do të ndodh para se version final i Ligjit të Pagave të shkojë në Qeveri për votim dhe pastaj për të vazhduar rrugëtimin drejt procedurave të tjera. Sveçla na tha se kjo kërkon kohë pasi që nuk duan të kenë një Ligj që prap mund të atakohet nga dikush ose të kthehet mbrapsht me vendime eventuale të Kushtetueses. Ne kemi kërkuar nga ministri Sveçla që në leximin e dytë të Ligjin e Pagave të parashihen mjete të mjaftueshme për Ligjin, por ai tha se kjo nuk është kompetencë e tij pasi që vendoset nga Ministri i Financave, deputetët dhe të tjerët”, ka thënë Jasharaj.

Në anën tjetër, aktivitetet e sindikatave janë përkrahur edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës të cilët kanë thënë se i përkrahin kërkesat e sindikatave. Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i ngjarjeve të fundit në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar protesta të mëdha gjatë javës tjetër nëse Qeveria nuk reflekton në përmbushjen e premtimeve.