A do t’ia besonit fëmijët asistentit digjital

Nëse keni menduar se askush në botë nuk do t’ia besonte kujdesin e fëmijëve një altoparlantit, atëherë keni gabuar. Këtë do ta bënin 20% e amerikanëve, siç mund të shihet nga një studim i kohëve të fundit.

Disa sondazhe të mëparshme nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se përdoruesit nuk kanë shumë besim në altoparlantët e mençur dhe asistentët digjitalë. Për më tepër, ata i konsiderojnë ato një rrezik të madh për privatësinë e tyre. Përkundër kësaj, ata ende i përdorin altoparlantët me Alexa dhe Google Assistant.

Kompania Secure Life e ka kryer një studim të ri për opinionin rreth pajisjeve të tilla. Doli se përdoruesit janë më të frikësuar që do të përgjohen dhe gjurmohen nga kriminelët (rreth 75%). Ata gjithashtu kanë frikë se i monitoron shteti (65%), dhe në vendin e tretë është frika e monitorimit nga kompanitë, shkruan KOHA Ditore.

Madje dy të tretat e të anketuarve besojnë se pajisjet e mençura po i regjistrojnë, ndërsa tre të katërtat e tyre besojnë se shtëpitë e mençura mund të hakohen me lehtësi.

Pavarësisht këtyre frikave nga monitorimi dhe përgjimi, disa përdorues ende nuk heqin dorë nga përdorimi i altoparlanteve Amazon Echo dhe Google Home. 33% e tyre i përdorin altoparlantet e mençur dhe asistentët zanorë.

Duke i pasur parasysh të gjitha paranojat e sipërpërmendura, është e pazakontë përgjigjja e një të pestës së të anketuarve për sa i përket Alexës si një dado. Rreth 20% e të anketuarve do t’i linin fëmijët vetëm në shtëpi, me asistentin zanor Amazon si dado të vetme.

Altoparlantët zanorë të Amazonit dhe Alexa vërtetë mund t’i argëtojnë fëmijët, por është e pazakontë të mendohet se ato mund ta zëvendësonin një dado të vërtetë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se disa prindër që kanë marrë pjesë në hulumtim me siguri kanë fëmijë më të mëdhenj të cilët nuk kanë nevojë për dado aq shumë (shpresojmë) dhe roli i Alexës në atë rast do të ishte argëtimi dhe loja.