A e trilloi Albin Kurti kërcënimin nga Garda fantome?

Pse kryeministri i shkarkuar Albin Kurti e publikoi pikërisht këto ditë një kërcënim fantom nga një organizatë fantome? A duhet të merret serizosht kërcënimi i kësaj organizate të padëgjuar më parë?

Të martën në mbrëmje, kryeministri i shkarkuar i Kosovës, Albin Kurti, në faqen e tij në Facebook publikoi, sipas tij, një kërcënim që i paska ardhur Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Në postimin e tij, që e korigjoi pas disa minutash, Kurti publikoi komunikatën e kësaj organizate që për herë të parë përmendet në opinion dhe krahas komunikatës së fotografuar ai e komentoi dhe analizoi atë.

Ai ia lejoi vetes të tregojë se ndaj kujt ishte drejtuar kjo komunikatë kërcënuese.

Edhe pse në të ashtuquajturën komunikatë të grupit fantom askund nuk përmendet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Kurti ia dha vetes të drejtën që këtë komunikatë ta intepretojë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj këtij institucioni. Kurti në sqarimin e tij, askund nuk thotë se më këtë komunikatë do të merren organet e drejtësisë, por në fokus ka përmendjen e emrave individual të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe tregon dertin e tij të vetëm: shkuarjen në zgjedhje të parakohëshme.

Kjo ngjalli reagime në opionin. Për herë të parë edhe Gjykata u detyrua të dal me një reagim ku i bëhet thirrje Albin Kurtit dhe Presidencës që të heqin dorë nga presioni dhe kërcënimet ndaj Kushtetutes dhe anëtarëve të saj.

E tëra, edhe publikimi i kërcënimit nga Garda fantome, po shihet si një përpjekje e radhës prej Kurtit, për të shtuar presionin mbi anëtarët e Kushtetueses, me shpresën se kjo do të ndikojë në një vendim në favor të partisë së tij, Vetëvendosjes.

Sikurse secili kërcënim që bëhet ndaj rendit dhe sigurisë në vend edhe kjo komunikatë do të duhej të trajtohej serizosisht. Por, ka shumëçka që nuk shkon me këtë komunikatë.

Publikimi i kësaj komunikate u bë nga faqja personale e Albin Kurtit në Facebook, nga një akter i skenës politike që po përpiqet të mbesë në pushtet dhe jo nga drejtues të organeve të sigurisë.

Është praktikë e organizatave të tilla, nëse veç ekzistojnë, që deklaratat dhe komunikatat e tyre së pari i dërgojnë nëpër media prej nga aty bëhët publikimi dhe shpërndarja më qëllim që të kenë një shtrirje sa më të madhe, gjë që duhet të jetë edhe qëllimi final i kumtesave të tilla.

Por, nëse kjo komunikatë do të ishte dërguar fillimisht nëpër media, ato do ta publikonin dhe interpretonin sipas qasjes së tyre editoriale. Por, Kurti si duket vendosi që mediat t’i kursejë nga një mundësi interpretimi e komunikatës, duke bërë vet publikimin dhe spjegimin e saj.

Edhe pse kryeministër në detyrë, ai ende i ka disa leva të sigurisë së vendit në duart e tij. E udhës do të ishte që ky kërcënim të bëhej publik nga organet e sigurisë, krahas sqarimit dhe sigurimit të opinionit se organet e drejtësisë po merren intensivisht me zbulimin se kush qëndron prapa kësaj komunikate. Deri më tani, nuk kemi asnjë fjalë a sqarim.

Nëse ia hedhim një sy përmbajtes së komunikatës që Kurti e publikoi, ajo ka shumë gabime drejtshkrimore. Sipër, në të majtë dhe në të djathtë, ka dy logo të dizajnuara shëmtueshëm me elemente kombëtare shqiptare. Komunikata ka numrin 3 për këtë vit, por nuk dihet përmbajtja e as data se kur janë publikuar dy komunikatat paraprake, 1 dhe 2. Dizajnuesi i përmbajtjes së komunikatës dhe anës vizuele nuk përjashtohet që qëllimisht të jetë kujdesur që komunikata të duket e tillë. Kështu, lehtësisht hamendësohet se prapa saj qëndron një shtresë shoqërore e paarsimuar, e pakultivuar, por e gatshme për të ofruar shërbime mercenare ndaj formacioneve të caktuara politike.

Është e ditur që kur organizata të tilla klandestine shfaqen në publik ato veprojnë dhe përkujdesën që të njoftojnë për qëllimet e krijimit dhe ekzistimit të tyre. Ato përkujdesen edhe për imazhin e tyre, vizuel dhe përmbajtësor.

Për Gardën fantome deri në njoftimin që erdhi nga Albin Kurti nuk është ditur as dëgjuar për të dhe kjo ngre shumë pikpyetje. Paraqitja e parë e tyre, nëse nuk do të jetë e fundit, nuk është për t’u marrë fort seriozisht.

Ndërkohë, të gjitha partitë politike në vend, me përjashtim të VV-së, publikisht janë deklaruar se do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çfardo qoftë ai.

Momenti delikat i publikimit të kërcënimit, kur jemi në pritje të një vendimi të Gjykates Kushtetuese, pastaj përmendja e emrave të përveçëm të anëtarëve të Gjykatës, publikimi i saj nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, intepretimi që ky i bën, gjuha gjithnjë e më tensionuese dhe kërcënuese që Kurti dhe pasuesit e tij përdorin javëve të fundit, mundësia që vendimi i Kushtetutes të mos pranohet nga Kurti dhe VV nëse nuk është në favor të tyre, përpjekjet e hapura për të mobilizuar antarësin e tyre për të protestuar në protesta pro-qeveritare – krejt këto rrethana pashmangshëm na sjellin tek përgjigjia e pyetjes se kujt në të vërtet i konvenon kërcënim fantom nga një gardë fantome?

Duke marrë parasysh sikletin e madh në të cilin ndodhet Albin Kurti nga mundësia e dorëzimit të pushtetit tek qeveria e re, lehtësisht mund të hamendësohet se e tëra mund të jetë një trillim i mendjeve të dëshpëruara brenda kryeministrisë në detyrë dhe Lëvizjes Vetëvendosje?/Periskopi/