A është zgjidhje tërheqja e parave nga Trusti?

0
115

Për disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, tërheqja e një shume parash nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës do të ishte ndihmesë e madhe për të përballuar trendin e rritjes së çmimeve të konsumit.

“Të mbulojmë së paku diçka – atë që është shtrenjtuar”, thotë Gyltene Sedreni, e cila punon në një dyqan në Prishtinë.

“Për shkak të krizës që na ka kapluar – kështu ad hoc – [tërheqja e parave] është më e domosdoshme se kurrë”, thotë edhe Aida Humolli, shërbyese civile në administratën shtetërore të Kosovës.

Shaban Mustafa, nga Gjilani, i cili thotë se punon në një bankë, pajtohet se tërheqja e mjeteve është zgjidhje në këtë kohë, por shton se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë më pas mënyra për t’i rimbursuar ato.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovë të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale – apo siç njihet ndryshe Trusti – ka ditë që ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.

Propozimin e tillë e ka bërë më 9 mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Më 16 maj, kjo parti, bashkë me subjektin tjetër opozitar, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Arsyetimi i tyre ka qenë që t’iu ndihmohet qytetarëve të përballojnë rritjen e çmimeve të konsumit.

Abelard Tahiri, nga PDK-ja, tha të hënën se Komisioni për financa dhe transfere i Kuvendit të Kosovës pritet ta trajtojë projektligjin të martën, ndërsa javën e ardhshme, shtoi ai, mund të pritet shqyrtimi i tij në Kuvend.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk e përkrahin tërheqjen e mjeteve nga Trusti, me arsyetimin se kjo nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët.

Ramosaj: Të ruhet dinjiteti i qytetarëve

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, thotë se propozimi për tërheqjen e përqindjes së caktuar të mjeteve të kursyera nga kontributdhënësit, nuk gjen mbështetje në argumente, as në aspektin politik e social dhe as në të drejtën qytetare.

Argumenti që është kundër kësaj nisme, sipas tij, është fakti se Trusti nuk është fond i kursimeve të qytetarëve, por është fond mirëbesimi.

Ai, shton Ramosaj, do të shërbejë për ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve kontributpagues, pas moshës 65-vjeçare dhe daljes së tyre në pension.

“Kjo do të thotë sikur dikush të ndërhyjë te ti, që të stimulojë t’i shpenzosh paratë tua… Në qoftë se ka deputetë të tillë, të cilët dëshirojnë ta nxjerrin qytetarin e Kosovës si kontributdhënës nga investitori potencial – me ato mjete sado të nivelit të ulët – në konsumues të drejtpërdrejtë, [ata] nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, në kuptimin e ruajtjes së dinjitetit qytetar. Ndërsa, sa i përket të drejtës së tyre, si nismë në Parlament, ata gjithë ditën e kanë atë të drejtë”, thotë Ramosaj.

Limani: Tërheqja e mjeteve nga Trusti, shpatë me dy tehe

Por, mendim tjetër ka profesori i ekonomisë në pension, Musa Limani. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se mjetet e Trustit janë mjete personale dhe individuale të punëtorëve dhe jo fond i përbashkët.

Marrë parasysh, sipas tij, nivelin e lartë të çmimeve dhe nivelin e ulët të pagave përballë këtyre çmimeve, Kuvendi “duhet të miratojë projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”.

Profesor Limani thotë se tërheqja e këtyre mjeteve nuk e zgjidh krizën ekonomike në vend, por mund ta zbusë situatën e vështirë ekonomike të disa qytetarëve.