A mund të funksionojnë shkollat me këtë buxhet simbolik?

Shkruan: Burim Gjaka

Derisa arritjet e ndryshme shkencore sot përkrahen në mbarë Botën dhe shpeshë pjesë e këtyre të arrituarave janë edhe shqiptarët e Kosovës, te ne vlerësimi i punës në arsim dhe njerëzve që punojnë në shkolla mbetet për t`u dëshiruar. Klima e krijuar në këtë vend është shumë pesimiste dhe fajtorë pse është kjo gjendje jemi të gjithë, mirëpo përgjegjësia kryesore bie mbi ata që i bëjnë politikat arsimore. Mbetet shumë e paqartë se ngritja e cilësisë në shkolla është me të vërtetë brengë dhe synim i institucioneve përgjegjëse, apo ky togfjalësh përdoret vetëm sa për të thënë dhe për t`i përmbushur kozmetiskisht letrat e zyrtarëve të shtetit, të cilat shpeshë edhe ua shkruajnë të tjerët.

Jemi mësuar të ndëgjojmë që ankesat kryesore të stafit arsimor janë pagat e ulëta, si kërkesë shumë e arsyeshme dhe revanshin e njerëzve qeveritarë duke u kundërpërgjigjur se cilësia në arsim është e ulët, mirëpo kësaj radhe do të analizojmë një problematikë tjetër, e cila përveq që pengon zhvillimin e procesit mësimor në shkolla, do të jetë edhe sfida kryesore për ekzistencën e shumicës së shkollave. Pra sot do të merremi me buxhetin e vogël të cilin e ndan shteti për shkollat dhe që realisht do ta bëj thuajse të pamundur funksionim e shkollave në vitet në vazhdim. Përveq shkollave me numër të madh të nxënësve e që janë vetëm në qytete, të tjerat që janë në fshatra do të përballen me këtë sfidë. Shteti ynë dhe njerëzit që e udhëheqin atë, ndajnë buxhet për shkolla vetëm sa për të thënë.

Kaherë shteti përdor një formulë buxhetore për shkolla, duke i ndarë 23 ( njëzet e tre) euro në vit për kokë nxënësi dhe një grant qeveritar prej 1500 ( njëmijë e pesqind) euro. Matematikisht nëse një shkollë i ka 120 nxënës asaj i ndahen 2760 euro për nxënës dhe 1500 euro grant qeveritar që në total i bie 4260 euro. Nëse merret për bazë se një vit shkollor ka përafërsisht 185 ditë pune, shteti ndanë përafërsisht 0.19 euro për një nxënës në ditë, pa i llogaritur stafin udhëheqës, mësimdhënësit dhe stafin teknik të cilët frekuentojnë çdo ditë në shkolla. Kjo formulë financimi ka qenë edhe para pandemisë dhe edhe pse qmimet e secilit produkt janë rritur 100%, buxheti i shkollave nuk është rritur për asnjë cent.

Tash pyetja kryesore është kjo: a mundet një shkollë me 120 nxënës, me 4260 euro buxhet vjetor, t`i mbuloj të gjitha këto, të paktën 70 metra dru ( qmimi i përafërt këtë vit ka qenë 70 euro për metër me tender), materjalin higjienik, materjalin zyrtar, materjalin për mirëmbajtje të objektit, mirëmbajtjen e paisjeve, mirëmbajtjen e IT-së, pagesën e ujit, mbeturinave, internetin etj.

A ka nevojë shkolla që ndonjëherë të investoj diçka tjetër p.sh blerjen e mjeteve të konkretizimit, blerjen e paisjeve të ndryshme që i duhen për punë, blerjen e drunjëve dekorues për kopshte, rregullimin e oborreve, rregullimin e klasave, etj.

Shkollat e vogla sot kan problem që të organizojnë një aktivitet sportiv në mungesë të topave dhe mjeteve tjera sportive, kanë problem të organizojnë një program kulturoro-artistik në mungesë të paisjeve të zërimit të cilat nuk mund t`i blejnë me buxhet të vogël. Poashtu shkollat e vogla sot nuk kanë mundësi asnjëherë që të shpërblejnë nxënësit e suksesshëm përveq ndonjë shpërblimi simbolik apo mirënjohje të cilat i paguajnë vet stafi nga xhepat e tyre.

Kjo folmulë buxhetore i paralizon shkollat në funksionimin e tyre, prandaj shteti duhet ta ketë parasysh këtë. Me këtë buxhet nuk mund të mbulohen as drutë për ngrohje se le më diçka tjetër. Edhe pse shkollat të cilat rrezikohen të shuhen nga rënja e numrit të nxënësve, duhet të llogariten si “ shkolla të mbrojtura” dhe shteti duhet t`i mbuloj me buxhet në mënyrë që të mund të funksionojnë, kjo nuk po ndodhë. Ndoshta ky problem as që ju ka ra ndërmend zyratrëve qeveritarë sepse ata nuk ballafaqohen me mungesë të letrës, rexhistratorëve dhe gjërave tjera elementare në zyrat e tyre.

E drejta e shkollimit të fëmijëve duhet të garantoj barazi në shkollim për të gjithë fëmijët, në të gjithë vendin, pa marrë parasysh se ku jetojnë ata. Të gjitha të drejtat dhe kushtet që i ofrohen një fëmiu në një shkollë qyteti apo kryqyteti duhet t`i ketë edhe fëmiu i cili shkollohet në fshatin më të skajshëm të vendit sepse ai nuk është fajtor pse në fshat ka banorë më pak se në qytet.

Qeveria e vendit duhet të ndryshoj formën e financimit të shkollave, të rritet buxheti i shkollave ose të ndryshoj formula e financimit, apo të paktën shkollave nën 200 nxënës t`u hiqet pagesa e druve për ngrohje nga buxheti i shkollave sepse nuk mund t`ia dalin ndryshe. Konsiderojmë se suksesi i shkollave duhet të jetë edhe interes i shtetit prandaj të punohet në këtë drejtim, për ndryshe me këtë buxhet që sot kanë shkollat do të jetë vështirë të sigurohen vetëm kushte minimale higjienike, ndërsa tjerat mbesin vetëm ëndërra.