A sjell diçka konkrete Samiti i Diasporës?!

Nga 28 Shkurti deri më 2 mars Shqipëria pret Samitin e Diasporës, por a do të sjellë diçka konkrete ky event për Shqipërinë, apo do të mbetet në rankun e një samiti honorifik?!

Për këtë çështje u pyet në studion e “Top Talk” edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko.

“Nëse do të jetë honorifik, atëherë do të jetë samiti i fundit që do të bëhet”, u përgjigj ai, duke theksuar se synimi i këtij Samiti është krejtësisht tjetër.

“Do të ketë një seancë hapje. Më pas do të ketë 4 panele që do të zhvillohen paralelisht, sipas tematikave që kanë të bëjnë me: Arsimin-identitetin: Drejtësinë; Ftesën në shpi që janë turizimi dhe agro-biznesi; dhe me elementë të natyrave të biznesit dhe ekonomisë. Brenda secilit panel do të ketë një debat shumë të gjallë. Por nuk do të mbyllet deri këtu. Për të qenë gjakftohtë kemi kërkuar ndihmën e zyrës së emigracionit të zyrës së Kombeve të Bashkuara, të cilët do të përgatisin dokumentin post-samit. Deri në shtator do të reflektohet rreth këtij dokumenti”, u shpreh Majko.

Më tej Majko foli për ecurinë e lidhjes së Diasporës me Shqipërinë: “Kemi krijuar tre agjenci: Agjencinë Kombëtare të Diasporës. Fondi i Zhvillimit të Diasporës dhe Qendrën e Botimit për Diasporën”.