AAK e PSD të hënën nënshkruajnë koalicionin

Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti të hënën pritet ti vënë firmat në dokumentin që i bashkon në koalicion qeverisës para zgjedhjeve që pritet të mbahen sivjet në Kosovë.

Burime të sigurt brenda dy subjekteve politike e kanë konfirmuar për Gazetën inFokus se të premten në mbrëmje është arritur një marrëveshje mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social Demokrate.

Të dyja palët janë dakorduar që të hënën ta bëjnë publike atë në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shkruan gazeta inFokus.

Afërsia mes këtyre dy subjekteve politike ka qenë e dukshme dhe koalicioni parazgjedhor nuk është përjashtuar nga zyrtarët e partive edhe në deklarimet e mëparshme.

Partia Socialdemokrate fillimisht e votoi buxhetin e Kosovës duke plotësuar numrin e nevojshëm për votim në Kuvendin e Kosovës duke ndihmuar në njëfarë forme Ramush Haradinajn edhe për të mos u rrëzuar nga Qeveria.

Sekretari Organizativ i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një deklarim të fundit për medie ka bërë të ditur se preferon një koalicion parazgjedhor me Nismën, AKR-në dhe me AAK-në ose LDK-në, ose të gjitha këto parti bashkë.

Ndërkaq, Visar Ymeri, nënkryetari i kësaj partie, ka konfirmuar për medie se janë në bisedime serioze me AAK-në.

“Kemi pasur dhe kemi diskutime. Deri tashmë kemi biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk kemi të definuar dhe të nënshkruar asgjë. Javën e ardhshme besoj se gjërat do të qartësohen më shumë”.