AAK-ja prish koalicionin me AKR-në në Mitrovicë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re nuk do të bashkëpunojnë më në Komunën e Mitrovicës.
Partia e kryeministrit Haradinaj, ka vendosur që ta prish koalicionin me AKR-në në qytetin e Mitrovicës.
Këtë e ka bërë të ditur AAK-ja nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se AKR-ja ka mungesë të vullnetit për bashkëpunim.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot ka vendosur që të ndërpritet koalicioni me Aleancën Kosova e Re (AKR) në komunën e Mitrovicës. Pas tentimeve të shumta për të harmonizuar qëndrimet dhe programin e AAK-së në këtë Komunë, është vlerësuar se AKR ka mungesë të theksuar të vullnetit për bashkëpunim”, thuhet në postimin e AAK-së.
“Zhvillimet e javëve të fundit në Mitrovicë kanë qenë vendimtare në marrjen e këtij vendimi. AAK mbetet e përkushtuar për qeverisje të mirë si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal”, përfundon postimi i kësaj partie.
Ndryshe, disa ditë më parë ishte shkarkuar kryesuesi i Kuvendit të Komunës në Mitrovicë, Jeton Ujkani.