AAK njofton për zgjedhjet e brendshme

0
146

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot ka vendosur të fillojë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme partiake, në të gjitha nivelet e organizimit të saj.

Drejtuesit e AAK-së kanë vendosur që në strukturat e partisë nuk do të ketë pozita ex-officio as për kandidatë as për poste dhe të gjithë personat që udhëheqin pozita në AAK do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor nga baza.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka thënë se ky vendim bëhet me qëllim që t’u hapen rrugë reformave.

“Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka vendosur që të fillojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, në të gjitha nivelet, duke instaluar sistemin një delegat – një votë. Poashtu, parashihet që në ndryshimet statutare, të përfshihet zgjedhja me votë nga baza për të gjitha pozitat në parti, duke menjanuar emërimet dhe zgjedhjet ex-officio. Platforma Programore do të plotësohet konform me ndryshimin e Statutit të AAK-së, që do të miratohet në Kuvendin e Punës, për datën e mbajtjes të së cilit do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues.”, ka thënë Haradinaj.

Kryesia e AAK-së ka formuar grupin punues për plotësimin e Platformës programore të partisë dhe grupin punues për ndryshimet e Statutit të AAK-së, të cilat do të përfshijnë mënyrën e zgjedhjes së organeve drejtuese të partisë në sistemin një delegat – një votë.

Në mbledhjen e ardhshme Këshilli Drejtues i AAK-së do të vendosë datën e mbajtjes së Kuvendit të punës, i cili do të aprovojë plotësimin e Platformës programore dhe ndryshimit të Statutit të AAK-së, si bazë legale për mbajtjen e zgjedhjeve në parti.