AAK propozon amandament për buxhetim të Ligjit të Pagave, planifikohet që të hyjë në zbatim në mars të 2022

0
97

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka njoftuar se AAK ka propozuar amandament për buxhetimin e Ligjit të Pagave në vlerë prej 85 milionë euro, në mënyrë që ky ligj të hyjë në zbatim nga 1 marsi i vitit 2022.

Tahiri theksoi se ky ligj është jetik për zyrtarët publikë, e po ashtu për funksionim më të mirë të administratës shtetërore, si dhe për përmbylljen e reformës shtetërore të institucioneve të Kosovës.

Sipas Tahirit, buxheti prej 85 milionë eurosh për këtë amandament, do të sigurohet nga zvogëlimi i disa kodeve buxhetore në mënyrë që ta jetësojmë këtë ligj.

Për rritjen e kategorisë “Mallra dhe Shtesa”, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës propozon dy alternativa:

1. Të rriten të hyrat buxhetore për këtë vlerë për 85 milion euro; ose
2. Të ulen kategoritë tjera të shpenzimeve për vlerën prej 85 milion euro. Kategoria e Shpenzimeve Kapitale, Kategoria e Mallrave dhe Shërbimeve dhe Fondi Kontigjent, janë kategoritë me mundësi të uljes për të rritur kategorinë e “Pagave dhe Shtesave”.
Gjithashtu, Tahiri shpaIosi edhe disa rekomandime ndaj Qeverisë së Kosovës, rritjen e pagave dhe subvencionimin e sektorit privat.

‘I rekomandojmë Qeverisë që të rrisë pagat, në mënyrë që qytetarët të përballojnë koston e rritur të jetesës si pasojë e rritjes së çmimeve dhe të marrë masa sa më parë që të rritë pagën minimale dhe të subvencionojë sektorin privat që të rrisin pagat’, tha ai.