Abazi: LDK ka filluar fushatë kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka reaguar pas mocionit të mosbesimit, duke thënë se është pikërisht LDK-ja, partneri i koalicionit qeverisës, që ka nisur fushatën kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK-në.

Përmes një shkrimi në Facebook,  ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi po përdoret për të ndarjen e vendit, andaj i bën thirrje LDK-së që të mos përsërit gabimin sikur në rastin e zgjedhjes së presidentit.

“Pse LDK me instruksione t’u bashkohet zërave të PDK, nuk e kuptoj. Shteti dhe qytetarët kanë dy rreziqe sot, njërën nga ndarja e vendit dhe tjetrën nga COVID-19. As e para e as e dyta nuk luftohen duke përkrahur qëllim-këqijtë dhe ata që e kanë sjellë vendin në këtë situatë. Në vend se të fokusohen të gjitha energjitë në drejtim të luftimit të pandemisë një pjesë e LDK ka filluar fushatë kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK”, shkruan Abazi.

Për më tepër, ai shkruan se ‘me gjendjen e jashtëzakonshme dhe planin e Thaçit do të humbasim territor dhe funksionimin e shtetit tonë’.

“Më vjen keq, por dikush që është mashtruar disa herë: në nënshkrimin e asociacionit të komunave, demarkacionin me Malin e Zi, zgjedhjen e Thaçit president dhe që tani kur është e qartë se çfarë është motivi i tij me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nëse nuk ndihmon dot, së paku nuk do të duhej të dalë në anën e atij dhe atyre që kanë tradhtuar interesin e vendit shumë herë”, pohon Abazi.