Abazoviq pendohet për deklaratën: U kërkoj falje nënave të Srebrenicës

0
228

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se deklarata e tij në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ishte “e paqartë” dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave.

“U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, shkroi ai në Telegram.

Kjo kërkim-falje vjen pasi familjarët e viktimave të gjenocidit, shoqatat dhe përfaqësuesit e partive politike në Mal të Zi, thanë se Abazoviq relativizoi gjenocidin në Srebrenicë.

“Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, tha Abazoviq, në përkujtim të 27-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.