Abelard Tahiri: Nuk është hera e parë që Albin Kurti dezerton

0
264

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës – PDK, Abelard Tahiri ka akuzuar kryeministrit Albin Kurti, për dezertim përballë përgjegjësive, transmeton Fokusi.info.

Ai i ka thënë Kurtit se “Qeveria e tij ka qenë e destinuar të dështojë shpejt sepse ai kurrë s’e ka marrë seriozisht përgjegjësinë për të shërbyer ndaj vendit”.

Postimi i plotë:

Nuk është hera e parë që Albin Kurti dezerton përballë përgjegjësisë.

Qeveria e tij ka qenë e destinuar të dështojë shpejt sepse ai kurrë s’e ka marrë seriozisht përgjegjësinë për të shërbyer ndaj vendit.

Por kjo zhbërje e qeverisë së tij, po ndodhë në mënyrën perfide. Pikërisht në kohën kur uniteti e përgjegjësia për menaxhimin dhe parandalimin e virusit që po përhapet globalisht, kanë qenë më së të nevojshme, Albin Kurti dezertoi me paramendim përballë kësaj përgjegjësie. Por jo pa pasoja. Vetëm 45 ditë në detyrë, e me një bilanc rekord negativ.

E trumbetoi vetën si kryeministër premtues, e përfundoi si kryeministër mashtrues, me veprime tinëzare deri në momentin e fundit. E gjeti Kosovën më mirë se ç’është sot, e u kujdes ta lë më keq se çka qenë dje. Çorientoi institucionet. Largoi investitorët e huaj.

Prishi raportin special me SHBA-në.

Testoi daljen në det të Serbisë përmes Kosovës dhe të gjitha këto në kohë rekord. Por nuk nxori asnjë ligj, as një akt, as një vendim a veprim zhvillimor që lehtëson jetën e qytetarëve, veçse i mbuloi dështimet me akrobacione demagogjike.

Prandaj, ky dezertim me paramendim, është thellim i krizës e dyfishim i panikut. Kjo është e pafalshme për dikë që ka marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur e i lë në baltë pikërisht kur duhet t’iu dalë në ndihmë.