Abelard Tahiri: PDK s’hyn në koalicione me partitë e mëdha, por vetëm me këto

0
287

Abelard Tahiri, anëtar i kryesisë së PDK-së, është shprehur optimist në fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet tëmbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.

Tahiri në një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës deklaroi se PDK-ja do të dalë fituese dhe atë pa hy në koalicion me ndonjë parti të madhe opozitare.

“Nuk do te bëjmë koalicion parazgjedhor me partitë e mëdha, eventualisht me partitë më të vogla. Me parti të mëdha në asnjë rrethanë nuk do të kemi koalicion. Në momentin që do t’i fitojmë zgjedhjet, jemi ne ata që do të përcaktojmë se kush mund të jetë në një koalicion qeverisës”.

Këtu Tahiri ka përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të PDK-së me Partinë e Drejtësisë dhe Lëvizjen për Bashkim, si parti me të cilat potencialisht do të bënin koalicion.

Ministri në largim u deklarua edhe për partitë e tjera dhe koalicionet e mundshme që mund t’i krijojnë.

“Të gjitha partitë i kanë shkelur vijat e kuqe të cilat i vendosnin”.

“Këto parti parlamentare janë në një panik dhe janë në konsultime të vazhdueshme dhe po e lypin një matematikë që të bashkohen që ta sfidojnë PDK-në. Nuk po shohin mundësi fitoreje nëse nuk bashkohen”.

Abelard Tahiri gjithashtu theksoi se kandidati për kryeministër nga kjo parti do të jetë Kadri Veseli, përderisa theksoi se lista e PDK-së do të jetë “lista e vetme prej partive politike që nuk do të ketë njerëz që kanë aktakuza”.

“Njerëzit që kanë probleme me ligjin nuk do të jenë pjesë e listës zgjedhore”.