Abrashi: Edhe mua më kanë sulmuar Vetëvendosja, por pjesa më e madhe e tyre tani janë në PSD

Arban Abrashi – Sekretar Organizativ në LDK, ka qenë mysafir në emisionin Debat në RTK. Ai përveç që komentoi vizitën e përfaqësuesit të Presidentit Amerikan Donald Trump, Richard Grenell, foli edhe për koalicionin qeverisës në mes tyre dhe VV-së.

“Vizita e Grenell tregon se po kërkohet shtytja e procesit të dialogut dhe nuk ka kohë më shumë Kosova që të humb në këtë aspekt. Emisari amerikan ka bërë thirrje që të shfrytëzohet edhe koha deri sa do të mbahen zgjedhjet në mars në Serbi, mos të humbim kohë asnjë ditë dhe të fillohet sa më shpejtë, edhe vet krijimi i qeverisë”, tha ndër të tjera Abrashi, përcjellë Indeksonline.

Ndonëse sipas tij Grenell nuk solli formulë për zgjidhjen e procesit të dialogut, ai tha se kjo mbetet mes palëve. Ndërsa sa i përket koalicionit me VV-në, Abrashi tha se ka pasur edhe takime e pajtime me këtë subjekt edhe para mbajtjes së zgjedhjeve, në kohën kur pritej të bëhej një koalicion parazgjedhor.

“Ka pas konsultime dhe përafrime të programeve, edhe para se të mbahen zgjedhjet. Ne jemi pajtu për mu e pajtu, patjetër që do të ketë dilema në disa pika, por edhe pajtime. Takimi për koalicion do të mbahet shumë shpejtë, ashtu siç edhe e ka thënë kryetari Mustafa, pas përfundimit të rezultateve, do të ecim tutje. Mendoj që fitorja është e përbashkët, edhe pse dallimi është shumë i vogël”.

Abarashi tha se LDK është një parti liberale dhe e hapur demokratike. Një parti që i merr vendimet ditën ashtu siç edhe e ka marrë vendimin për koalicion me VV-në. Një vendim ky që askush s’duhet të hamendësojë nëse ka ide ose projekt tjetër. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen LDK pasi që nuk është parti muskuloze, por kur Mustafa thotë jo, mbetet jo.

Gjithashtu i pyetur se si po bën një koalicion LDK me një parti që e ka sulmu vet kryetarin e saj, Abrashi tha se edhe atë e kanë sulmu, e që i njeh këta persona.

“Edhe mua më kanë sulmu, dhe pjesë më e madhe e tyre tani janë në PSD”.

Lini një Përgjigje