Abrashi i përgjigjet AAK-së: Qeveria ka dështuar

Ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Arban Abrashi, i është përgjigjur kritikave që kanë bërë gjatë ditës së sotme zyrtarët e AAK-së në drejtim Isa Mustafës. Abrashi në një deklaratë për Express ka thënë se Qeveri aktuale ka dështuar në shumë fusha.
“Kosovës i duhen vendet e reja të punës e jo më shumë zëvendës ministra, duhen investime të huaja, stabilitet e legjitimitet, arsim e shëndetësi më e mirë, qytetarëve duhet kthyer shpresa për këtë vend, e që fatkeqësisht janë fusha ku Qeveria aktuale kjo dështuar. Kosova është shumë e vogël, që të mbijetoj izolimin. Raportet e shëndosha dhe partneriteti strategjik me SHBA dhe me Bashkimin Evropian, nuk duhet rrezikuar me asnjë çmim, as me çmimin e pushtetit, është thjeshtë gabim”, ka thënë Abrashi.
Ai tutje ka deklaruar se guximi, vendimet e mëdha, pishmanllëku, janë terme për konsum ditor, që i takojnë së kalurës, esenca është më lartë.
“Guximi, vendimet e mëdha, pishmanllëku, janë terme për konsum ditor, që i takojnë së kalurës, esenca është më lartë. Në fakt, Kosovës dhe vendeve që aspirojnë integrimin në BE, i duhen vendime të ligjshme e në frymën evropiane, e jo të guximshme ose paguximshme”.
Deputeti i LDK-së ka thënë se Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për LDK dhe vendimmarrjen e saj,
“… e konfirmuar së fundmi me një qeverisje të pastër, dhe përmirësim të dukshëm në të gjitha dikasteret”.
Gjatë ditës së sotme anëtari i Kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, ka thënë se Isa Mustafa i ka rënë pishman pse kishte deklaruar se s’do të kandidonte më për Shef të LDK-së, ka thënë se krejt akuzat në drejtim të Ramush Haradinajt po i bën për t’u rikthyer edhe për një mandat në krye të partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.
Kurse, Burim Ramadani, Zëvendësministër i FSK-së, ka thënë se Isa Mustafa s’ka nevojë ta këshillojë Haradinajn, pasi rezultati do të ishte dështim.