Afaristët thonë se shteti po vendos vetëm pengesa për bizneset

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë se shteti ka vendosur më shumë barriera për bizneset sesa që provon t’u hapë rrugë për investime e zhvillim.
Në Express Intervistën në KTV, Krasniqi ka thënë se bizneset në vend “po zhvillohen aq sa shteti s’po di t’i bëjë ligjet për t’i penguar”.
Duke bërë krahasim të përgjithshëm me Maqedoninë, Krasniqi ka thënë se për 5 vjet Maqedonia ka pasur rritje të eksportit për 1.5 miliardë euro, ndërsa Kosova vetëm 80 milionë euro, në periudhën 2012-2017. Sa i përket të punësuarve, Krasniqi ka thënë se në Kosovë janë 350 mijë të punësuar nga 1.2 milionë qytetarë të aftë për punë, ndërsa në Maqedoni punojnë 800 mijë vetë. Ai ka shtuar se ka pasur rritje të importit, ndërsa ka përmendur se “as subvencionet nga qeveria nuk kanë dhënë efektin e mirë që është dashur të japin”.
“Shteti në çdo pikë po krijon probleme, s’po reagon në kohë e po shton ngarkesa”, ka thënë ai duke e lidhur çështjen me vonesat për shqyrtim për aplikimet për lirim nga TVSH-ja për lëndën e parë të importuar. “Vetëm 23 për qind të rasteve janë shqyrtuar deri më 11 janar. Një pjese të madhe të prodhuesve u ka mbetur lënda në doganë. Duhet të paguajnë shtesë për qira. Kemi bërë tre reagime, deri kur ministri i Financave, Bedri Hamza mori vendim që të lirohen deri në shqyrtim të kërkesave, deri në fund të shkurtit”.
Sipas Krasniqit, institucionet e Kosovës më shumë kujdesen që ligjet të jenë në harmoni me Bashkimin Evropian se me njëra-tjetrën. Si shembull ka marrë Ligjin për Miniera dhe minerale. “Nëse një biznes, që duhet të sjellë më së shumti të hyra, mund të aplikojë për biznes e të marrë deri 200-300 hektarë për hulumtim, ligji është në rregull, por kur një biznes aplikon dhe i merr të gjitha lejet, shkon te toka, toka nuk mund të menaxhohet nga ky ligj, por nga ministria e Bujqësisë, sektori i pylltarisë. Ata e shikojnë në një listë, të një ligji nga një shtet tjetër. Aty thonë se mund t’i marrësh vetëm 5 hektarë, nga 200 që i ke marrë lejen”, ka shpjeguar ai.
Krasniqi ka thënë se nuk pajtohen as me propozimin për Ligjin për Lehonat. “Te ligji i lehonisë, kemi kërkuar nga fillimi që pagesa e nënës të merret 100 për qind nga shteti, që bizneset të mos dëmtohen nga pagesat e dyfishta. Në 600 mijë gra të afta për punë, në Kosovë janë vetëm 70 mijë punojnë apo 12-13 për qind, 87 për qind janë të papunë. Përmes ministrisë së Punës është propozuar që tre muaj biznesi të paguajë nga 70 për qind e shteti 6 muaj. Për shembull rroga 500 euro, shteti e detyron biznesin të paguajë 350, e kur vjen te shteti, shteti e paguan 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë, 380 euro mesatarja, e ia jep 190”, ka shtuar ai.
Sipas tij, bizneset kanë probleme të tmerrshme me rrymë.
Ka thënë se “Kosova është i vetmi shtet që s’e ka mbrojt asnjë produkt as në CEFTA as askund”.
Sa i përket ligjit për Investimet Strategjike, Krasniqi ka thënë se Kosova akoma s’ka krijuar ofertë për investitorët dhe asnjë biznes i huaj s’mund të kalojë barrierat që i ka vënë shteti.

Lini një Përgjigje