AFP shkruan për Kosovën si fuqi botërore të xhudos

0
258

Vendi i vogël i Kosovës ka shpërthyer si fuqi botërore e xhudos, me suksesin e papritur të saj të udhëhequr nga kampionia olimpike Majlinda Kelmendi. Kështu nis artikullin dedikuar xhudos kosovare, agjencia prestigjioze e lajmeve AFP.

“11 vjet pasi mori pavarësinë nga Serbia dhe në Lojërat e para Olimpike, suksesi i Kelmendit në Rio më 2016, ia mundësoi Kosovës dhe dy milionë banorëve të saj të mposhtin vëllanë e madh, Shqipërinë, që s’ka fituar kurrë ndonjë medalje olimpike në ndonjë sport”, thuhet në fillim të artikullit.

AFP vazhdon duke shkruar se historia e suksesit të xhudos kosovare u krijua nga trajneri Driton Kuka, në qytetin e Pejës.

“Jam i sigurt se po të mos ishte Toni, Kosova nuk do të kishte këto medalje sot, sidomos të artën olimpike”, ka thënë kampionia 28-vjeçare për AFP-në.

Kjo agjenci lajmesh thotë se Kelmendi u kthye në heroinë kombëtare pas suksesit në Rio, që erdhi pas titujve të botës më 2013 dhe 2014.

48-vjeçari Kuka ka treguar për AFP-në se tani ka 14 garues në të gjitha kategoritë që kanë arritur nivelin më të lartë.

Të gjithë vijnë nga i njëjti vend.

“Hakmarrja”

Duke krijuar një ekip kaq të fuqishëm, AFP thotë se Kuka po hakmerret për historinë e trazuar të Kosovës që i kushtoi në karrierën e tij. Më 1992, kur afroheshin Lojërat Olimpike në Barcelonë, Kuka ishte më i miri në Jugosllavi në xhudo në kategorinë nën 71 kilogramë dhe ishte ndër favoritët për medalje. Por që kur më 1989 situata ishte e tensionuar, atletët shqiptarë kishin braktisur ekipet jugosllave.

“Ëndrra ime olimpike u shua”, ka kujtuar Kuka, duke shtuar se i kishte mposhtur të gjithë medalistët e Barcelonës në rrugëtimin drejt këtyre lojërave olimpike.

Në fund të luftës në Kosovë, Kuka e themeloi ekipin e tij në lagjen “Asllan Çeshmja” në Pejë. Fëmijët e atyre që u kthyen dhe gjetën gjithçka të shkatërruar në lagjen e tyre ishin nxënësit e parë të Kukës. Kelmendi që jeton afër qendrës sportive ishte ndër të parat që iu bashkua klubit, shton AFP.

Tani triumfi i madh i Majlindës ka sjellë festë të madhe në rrugët e Pejës.

“Kemi transformuar fëmijët që kishin vuajtur nga lufta në kampionë bote, duke e matur veten me shtete si Franca, Japonia ose Brazili që kanë mijëra xhudistë në ekipet e tyre”, ka vazhduar Kuka.

Gazetari i Kohës Ditore, Arsim Maxhera, ka thënë për AFP-në se “Kelmendi është tregimi më i suksesshëm në vend, jo vetëm në sport”

“S’ka titull që ju ka shpëtuar xhudistëve që vijnë nga e njëjta lagje”, ka shtuar ai.

Falë suksesit të madh, Peja tani ka pesë klube të xhudos me rreth 500 njerëz që ushtrojnë.

Tani garuesit kosovarë janë duke luftuar për medaljet e radhës në kampionate botërore. Sot ka nisur Kampionati Botëror “Tokio 2019”, me Kosovën që paraqitet me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Akil Gjakovën e Loriana Kukën.