Agim Çeku tregon arsyen pse forcat ruse u futën në Kosovë para KFOR-it

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka treguar arsyen pse forcat ruse u futën në Kosovë para KFOR-it.

Çeku për emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin” ka treguar në detaje se çfarë ka pasur në Tunelin e Goleshit, transmeton Klan Kosova.

“Pse erdhën rusët në Kosovë janë disa arsye politike dhe ushtarake. E para rusët dolën humbës në grupin e Kontaktit, e mbështesnin Millosheviqin dhe kundërshtonin kushtet që i kishte vendos bashkësia ndërkombëtare Millosheviqit. Kur e panë se janë humbës, kërkuan që të jenë pjesë e forcave ndërkombëtare, prezencës ndërkombëtare dhe kërkonin një zonë të përgjegjësisë”.

“Ishin pesë brigada në Kosovë dhe ata dëshiron njërën, kryesisht veriun e Kosovës. As Clark e as Jackson nuk pranuan në asnjë moment dhe thanë se ata mund të jenë pjesë e brigadave por jo që të kenë një zonë dhe NATO u pajtua që edhe rusët të jenë pjesë e KFOR-it”.

“Ata për të shënuar një poenë politikë që mos të dalin humbës vendosën ta sjellin nga Bosnja një kontingjent para KFOR-it që të faktorizohen që të hyjnë në lojë politike dhe ushtarake. Ata janë nisur nga Bosnja, kam informacione të sigurta që ata kanë qenë ushtar serbë të veshur me uniforma ruse, por automjetet kanë qenë të tyre”.

“Pse erdhën në aeroport? Erdhën sepse në tunelin e Goleshit ka pasur sekretet ushtria e Serbisë. Para se të fillojnë bombardimet i kanë larguar të gjitha predhat kimike dhe biologjike që ka pasur ushtria serbe dhe i ka future në tunel”.

“Një shpërthim i mundshëm i tyre do të kishte pasoja të mëdha dhe ato janë gjëra të ndaluara. Përveç kësaj ka pasur edhe raketa ruse të deponuara në atë tunel që i ka dërguar Rusia gjatë bombardimeve të NATO-s. Gjithashtu edhe disa Aeroplanë MIG 21 që kanë shpëtuar nga bombardimet kanë qenë aty të stacionuar”.