AGK dënon sulmin fizik të Simiqit ndaj gazetares kosovare

0
224

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi ka dënuar sulmin fizik që i është bërë stafit të arbresh.info nga Sllavko Simiq dhe personeli i tij.

AGK thotë se i dënojnë fuqishëm këto akte dhe kërkojnë të distancohen nga këto veprime të papranueshme.

Sipas AGK-së, zyrtarët e shtetit duhet të jenë transparent në punën e tyre dhe madje t’i ndihmojnë gazetarët në raportimin e drejtë dhe të paanshëm, shkruan Fokusi.info.

Reagimi i plotë:

AGK dënon sulmin fizik dhe veprimet e personelit të Sllavko Simiqit ndaj ekipit të arbresh.info

PRISHTINË, 11.01.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar informatën se ekipi i arbresh.info është sulmuar dje gjatë raportimit të tyre për vizitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, njëherësh edhe nënkryetar i Listës Serbe, në fshatin Prilluzhë të Komunës së Vushtrrisë.

Sipas raportimeve të arbresh.info, Simiq ka vizituar një shkollë të mesme të ulët dhe më pas të ashtuquajturën Komunën paralele të Prilluzhës. Ekipit të arbresh.info ju pamundësua të jetë i pranishëm për të raportuar ngjarjet, përderisa mediet serbe u lejuan të jenë prezente.

Për me tepër, siç bën të ditur gazetarja e arbresh.info, Elmedina Ballazhi, pas tentimit së saj për të hyrë në takimin e dytë, ajo është sulmuar nga personeli i Simiqit, duke e goditur atë me bërryl në gjoks dhe duke i mbyllur derën asaj dhe kameramanit.

Pas përfundimit të dy takimive, Simiq sërish nuk ka pranuar të deklarohej. Pavarësisht këtyre pengesave, ai përmes mesazheve i ka mohuar arbresh.info se personi që ka larguar gazetaren, është pjesë e stafit të tij.

“Nuk ishte stafi im. Gazetarët tuaj janë gjithmonë të respektuar. Më vjen keq për të gjitha këto keqkuptime. Shihemi në Prishtinë, dhe faleminderit për mirëkuptim”, është shprehur Simiq në formë të shkruar, pas gjithë këtyre telasheve në lidhje me raportimin nga këto vizita.

AGK i dënon fuqishëm këto akte të personelit të Simiqit dhe kërkojmë nga ata distancimin e menjëhershëm dhe të pa pranueshëm nga këto veprime. Zyrtarët shtetëror duhet të jenë transparent në punën e tyre dhe të ndihmojnë të gjithë gazetarët në raportim të drejtë dhe të paanshëm./Fokusi.info/