AGK kërkon nga gazetarët që të bojkotojnë takimet LVV-LDK

0
175

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me muaj të tërë janë duke zhvilluar takime për arritjen e marrëveshjes, por deri më tani asgjë konkrete nga kjo gjë.

Gjithë këta muaj, gazetarët po qëndrojnë për orë të tëra jashtë objekteve ku po mbahen takimet dhe nuk po u lejohet hyrja brenda tyre dhe përgjigja që është dhënë nga zyrtarë të ndryshëm të këtyre dy subjekteve politike ka qenë se “do të takohen përsëri”, shkruan Fokusi.info.

Duke e parë këtë situatë në të cilën janë gazetarët, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se AGK do të kërkojë nga të gjithë gazetarët që të bojkotojnë takimet LVV-LDK.

Postimi i plotë i Begolli-Pustinës:

Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes VV e LDK.

Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta.

Kërkojmë që urgjentisht të merren masa që kolegët tonë të trajtohen me korrektësi, në mënyrë dinjitoze dhe mos të vazhdoj edhe më tutje ky trajtim jo human.

Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre./Fokusi.info/