Ahmeti: LDK-ja dhe VV-ja me mospjesëmarrje në dialog po e dëmtojnë Kosovën në negociata

0
244
Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë në Klan Kosova se është papërgjegjësi e opozitës refuzimi për pjesëmarrje në dialog por se ende shpreson që në tavolinë të jenë të gjitha partitë.
“Nuk është përgjegjësi e imja që të mendoj për secilin deputet të Kuvendit. Asnjëherë nuk do të kemi pjesëmarrje 100 për qind të të gjithëve. Nga ato që kam lexuar LDK-ja po dëshiron rrugë që të kyçet në dialog, e Lëvizja Vetëvendosja po mendon të fitojë elektoralisht duke refuzuar dialogun”.
“Ne kemi marrë një qasje shumë më të përgjegjshme, ne kemi thënë po diskutohet për Kosovën, po diskutohet për një marrëveshje që potencialisht ka një efekt 50-100 vjeçar dhe të themi unë nuk dua të mos marrë pjesë sepse ky apo ai person është i përfshirë në dialog është e papërgjegjshme”.
“Në qoftë se nuk pajtohen me Thaçin atëherë do të ishte mirë që në këtë dialog të përfshihen dhe të shprehin qëndrimin e tyre. Mendoj se shumë më lehtë do ta ndalnim duke i thënë të gjithë se kjo nuk është rruga e duhur apo që nuk ka bërë punë të mirë”.
Ahmeti ka thënë se ende shpreson që të gjitha partitë të jenë në tavolinë për të negociuar me Serbinë.
“Unë edhe më tutje shpresoj që t’i kemi në tavolinë të gjitha subjektet që ta shprehin qëndrimet e tyre që ta shprehin votën e tyre sepse kjo është përjashtim i vetvetes prej lojës”.
“Nuk e di nëse ka zgjedhje momentalisht, ne edhe më tutje jemi duke pritur inciativë nga VV-ja dhe LDK-ja që të na dërgojnë mocionin e mosbesimit”.
“Me fol është lehtë, me ikë prej përgjegjësisë është edhe më lehtë dhe të ballafaqohesh me problemin që e kemi është shumë vështirë. Ndoshta nesër neve kjo do të na kushtojë, ndoshta nesër PSD-ja do t’i merr zero vota, por ne nuk mund të ikim nga përgjegjësia që e kemi për shtetin tonë për ta përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Ai tha se sikur të ishin të gjitha subjektet me një mendim unik dhe të dalim para Perëndimit dhe Serbisë me një qëndrim të përbashkët, Kosova do të ishte më e fortë.
“Prandaj unë mendoj se edhe LDK-ja edhe VV-ja po e dëmtojnë shtetin e Kosovës në këto negociata”.