Është mbajtur Akademi Përkujtimore me rastin e Epopesë së UÇK-së

Në Akademinë Përkujtimore me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u tha se lufta e Adem Jasharit qartësoi si asnjëherë më parë raportet me Serbinë.
Me këtë rast Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj tha se sakrifica e familjes Jashari ishte misioni i kahmotshëm, i cili iu kishte dashur Kosovës. “Kjo sakrificë e kreu një mision që ishte dashur të ndodhte moti. Të gjithë jemi Adem Jashari, të gjithë jemi Drenicë dhe të gjithë jemi UÇK, tha ndër të tjera Haradinaj.
“Prekazi në mënyrën me besnike e përcolli amanetin e luftëtarëve të lirisë. Adem Jashari ka qenë dhe ka mbetur bërthamë e UÇK-së. Adem Jashari dha edhe komponentën luftarake dhe nisi angazhimin e tij në luftën çlirimtare. Ai dhe çeta e tij e donin Kosovën të lirë dhe të pavarur. Ai ishte kudo, fillimisht në Drenicë e pastaj edhe në vendet tjera. Lufta që zhvilloi Adem Jashari ishte e madhe. Lufta për Prekazin ishte e ashpër, por qëndresa ishte e madhe. Në këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë, u morën jetën 55 shqiptarëve, 22 prej të cilëve ishin nga familja Jashari. Kjo ishte impuls i ri në luftën çlirimtare”, tha ai.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj tha se përjetësisht duhet respektuar gjaku i dëshmorëve, pasi lavdia e kësaj lufte nuk do të zbehet kurrë. Asnjë vepër nuk mund të krahasohet me rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
“Lufta e Adem Jasharit qartësoi si asnjëherë më parë raportet me Serbinë, duke paraqitur në mënyrën më të mirë fundin e regjimit serb dhe të ardhmen e ndritshme për Kosovën”, tha ai.

Në nderim të të rënëve për liri dhe të familjes Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, ka ftuar për unitet në mënyrë që të ruhet amaneti i dëshmorëve. “Kërkoj të bëhemi unik që ta ruajmë shtetin dhe pavarësinë tonë, pasi vetëm duke qenë kështu mund t’i arrijmë qëllimet tona”, porositi ai.