Aktakuzat e para – Prokuroria Speciale: Jemi ende në fazën e hetimeve

0
317

Prej se ka nisur punën Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me seli në Hagë i ka intervistuar mbi 40 ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), disa si dëshmitarë e disa si të dyshuar, por ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë. Zëdhënësi i ZPS-së, Christopher Bennett është prononcuar për FaktePlus lidhur me këtë proces.

Deklarimet e zyrtarëve të ndryshëm në Kosovë nëpër mediat vendore rreth asaj që së shpejti mund të ngritën aktakuzat e para ndaj ish- ushtarëve të UÇK-së, të dyshuar për krime lufte, zyrtarë nga ZPS, nuk i kanë pohuar, por as nuk i kanë mohuar.

Në një përgjigje me shkrim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i kësaj prokurorie Christopher Bennett ka thënë se hetimet janë duke vazhduar ende dhe në këtë fazë nuk mund të jap detaje të mëtejme.

“Zyra e Prokurorit Special ndër të tjera, ka autoritetin të kërkojë praninë dhe marrjen në pyetje të personave të dyshuar, viktimave dhe dëshmitarëve. Ka autoritet të mbledhë dhe të shqyrtojë informacionet dhe provat dhe të marrë vendime për fillimin, si dhe vazhdimin ose përfundimin e procedimeve penale. Ajo kërkon t’i mbajë individët përgjegjës për krimet që mbulon mandati i saj dhe hetimi është në vazhdim”, ka shkruar Bennett.

Por, edhe pse deri më tani Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me seli në Hagë ka qenë e mbyllur dhe nuk ka ofruar informacion të detajuar lidhur me hetimet, ka kërkuar ndihmë për këtë proces.

Zëdhënësi Bennett thotë se kushdo që dëshiron të jap informacion rreth hetimeve është i mirëpritur ta bëjë këtë edhe përmes faqes së internetit që ka vënë në dispozicion Zyra e Prokurorit të Specializuar.

E linqet për të dhënë informata ose kontribuar në hetime janë në dispozicion në tri gjuhë, si në gjuhën shqipe e serbe dhe në atë angleze.

Si do qoftë sipas asaj që është thënë nga zyrtarë të ndryshëm në Kosovë, si ata nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, së shpejti pritet të intervistohen edhe një numër ish- luftëtarësh dhe disa prej tyre intervistat do t’i japin në Prishtinë, e disa në Hagë.

E bazuar në burimet e mëparshme të FaktePlus në listë për intervistim janë edhe figura të larta të luftës (emra të njohur për redaksinë) e që tani kanë poste me rëndësi në institucionet e Republikës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale po punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, në lidhje me akuzat e ngritura nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.

Në fakt po hetohet për krime lufte në Kosovë, e të cilat pretendohet se i kryen ish- pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).Më saktë këto pretendime për krime i ngriti në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty, e i cili thotë: “krimet janë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000”.

Kështu pas shumë përpjekjeve edhe u formua Gjykata Speciale. Kjo gjykatë është formuar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi legjislacionin e nevojshëm dhe u bë plotësisht funksionale në korrik të vitit 2017. Gjykata financohet nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet nga stafi ndërkombëtar.