Aktakuzë ndaj Bledart Elshanit nga Drenasi – kërcënoi Kryeministrin

Ndaj personit që përmes rrjeteve sociale kërcënoi kryeministrin Ramush Haradinaj, ku në prapavijë promovohej flamuri i organizatës terroriste ISIS, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë. Bledart Elshani nga Drenasi që shperndante melodi për heqjen e kokave të njerëzve, po hetohet për veprat penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, shkruan Gazeta Express.

Elshani promovonte edhe prerjen e kokave të njerëzve, përmes melodive që i postonte në rrjetet sociale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Bledart Elshani, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e shtetit Islamik.

“Po ashtu, i pandehuri B.E, më 23.08.2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10.01.2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Hradinaj me mbishkrim “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS””, njofton prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Me këto veprime i pandehuri B.E, ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së.

Po ashtu të njejtit policia i ka gjetur edhe armë, për të cilat ai po hetohet për veprën: penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

“Gjithashtu, më 11.01.2019, në Drenas në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – DKT në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bart në trup një armë të ftohtë – thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar.

Me këto veprime i pandehuri B.E, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së”, tha prokuroria.