Albin Kurti e fut në listë Fatmir Rashitin, edhe një ish-anëtar të PDK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar sot njërin nga 110 emrat e listës së kësaj lëvizje për zgjedhjet e 6 tetorit.

Bëhet fjalë për kreun e Iniciativës Qytetare të Shtimës, Fatmir Rashitin, i cili në të kaluarën ka qenë nënkryetar i Komunës së Shtimes, transmeton Klan Kosova.

“Ai ka mbaruar shkollimin e lartë në vitin 1979 dhe ka punuar në arsim deri në vitin 1999. Në vitin 1999 u emërua drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në vendlindje në Petrovë, ku qëndroi deri në vitin 2002, kur asokohe u emërua nënkryetar i komunës së Shtimes”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Në zgjedhjet komunale të vitit 2007, me lista të hapura, ka qenë kandidati më i votuar në PDK. Nga viti 2004 deri më 2007 ka qenë kryetar i Kuvendit Komunal të Shtimes, ndërkaq nga viti 2007 deri në vitin 2017 për tri mandate rresht nënkryetar i komunës së Shtimes. Mirëpo, mandatin e fundit nuk e përfundoi pasi që dha dorëheqje nga PDK-ja për shkak të keqqeverisjes. Si kandidat i pavarur për kryetar komune në zgjedhjet lokale të vjeshtës 2017 shkoi në balotazh ku u përball me makinerinë e PAN-it”.

“Fatmir Rashiti është i vendosur të mos ndalet në betejën kundër kapjes së shtetit, krizës ekonomike dhe mjerimit social. Prandaj na u bashkua në listën e Lëvizjes”.