Altin Lala me fjalë të mëdha për Milot Rashicën

Milot Rashica është futbollisti i momentit në Gjermani. Lojtari i Përfaqësueses së Kosovës, është padyshim gabimi më i madh i De Biasit, i cili vendosi që të linte jashtë listës për Evropianin e Francës, duke sjell më pas vendimin e lojtarit për të luajtur për Kosovën.

Super goli në minutën e 65-të në Kupën e Gjermanisë të mërkurën në mbrëmje ndaj Schalkes është vetëm një nga “perlat” e shumta që ai ka shënuar gjatë këtij sezoni. Rashica ka realizuar 9 gola në 11 ndeshje në vitin 2019, por kjo ecuri nuk është aspak një surprizë për Altin Lalën. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, i cili është edhe agjenti i tij ka dhënë një intervistë për “DeichStube”. “Gjithmonë e dija që Rashica do të arrinte në këto nivele. Ai mund të bëjë edhe shumë më shumë”, shpjegon ai.

Altin Lala ishte para TV së bashku me djalin e tij, kur po ndiqte një ndeshje miqësore mes 21-vjeçarëve të Kosovës dhe të Ganës.

“I thash djalit tim: Duhet të kesh kujdes nga ky, është shumë i mirë”, tregoi Lala, i cili e takoi personalisht një vit e gjysmë më vonë. Këtë herë ishte në një ndeshje ndërkombëtare, dhe ish-mesfushori shqiptar shkoi në stadium për ta ndjekur nga pranë.

“Ky ishte çasti kur u vendosa në kontakt me të dhe babai i tij e priti shumë mirë. Vendosa që ta mbështesja”, tregon Altini. Rashica nisi karrierën në Kosovë me Vushtrrinë, ndërkohë që më pas u largua te Vitesse Arnhem në Holandë. Lala kërkoi që ta ndihmonte për ta transferuar te ish-klubi i tij, Hannover 96.

“Në një seancë stërvitore, Miloti pësoi një dëmtim në ligamentin krucial”, tregon Altin Lala, i cili vendosi që ta ndihmonte me operacionin dhe jetoi me të për pothuajse një vit, sikur ta kishte djalin e tij. Qëndrimi i tij ishte me 3 mujor, pasi i lejohej që të qëndronte në Gjermani vetëm për 90 ditë. “Unë jam konsulent futbollistësh. Dua të ndihmoj talentet. Rashica nuk ka qenë asnjëherë një problem për mua. E ardhmja? Nuk ka asgjë të re. Miloti ka një kontratë deri në vitin 2022. Në 3 muajt e fundit ka luajtur shumë mirë më Werder Bremenin. Jemi të qetë dhe do të bëjmë një hap vetëm në kohën e duhur”, tregon Lala.