Ambasada e SHBA: Pse refuzuam vizat për 170 zyrtarë publikë

Zyrtarë apo ish-zyrtarë publikë të akuzuar për korrupsion janë penalizuar nga ambasada amerikane në Tiranë me mohim ose revokim të vizës për në SHBA.

Pas debatit të zhvilluar në Parlament mes Kryeministrit Rama dhe paraardhësit të tij, Sali Berisha, për refuzim të pajisjes me vizë amerikane, gazeta “Panorama” kërkoi informacion nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, nëse ka ndryshime në regjimin e vizave për zyrtarët apo ish-zyrtarët e lartë. Në një përgjigje me shkrim, zyra e shtypit pranë kësaj ambasade, u shpreh se për zyrtarët publikë ka kontrolle shtesë në rastet kur ka pretendime për korrupsion të tyre.

“Ambasada e SHBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri. Ambasada e SHBA i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Tiranë.

Duke sjellë në vëmendje disa nga rastet e bujshme në Shqipëri të revokimit të vizave amerikane, si deputeti Tom Doshi apo ishKryeprokurori Adriatik Llalla, ambasada amerikane numëron 170 raste të mohimit të vizave për zyrtarët dhe familjarët e tyre.
“Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar 2017, Ambasada e SHBA iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre. Kjo është diçka përpos përcaktimit të deputetit Tom Doshi dhe ishProkurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjeve të tyre nga Sekretari i Shtetit si të pakualifikueshëm për viza amerikane përgjithmonë.

Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, përfundon përgjigjen e saj zyra e shtypit e ambasadës amerikane në Tiranë. Në janar 2017, ambasada e Shteteve të Bashkuara revokoi vizat joemigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë, pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”, u shpreh në atë kohë ambasada e SHBA-ve në Tiranë./BalkanWeb