Ambasadori i ri amerikan në Beograd flet për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi

0
135

“Nuk planifikoj që të kem qasje ndaj liderëve serbë sikur po u mbaj leksione. Shpresoj në dialog të hapur, por kur të jetë e nevojshme t’u them gjëra të pakëndshme, do t’ua them direkt, në bisedime private, sado që të jetë e mundur, sepse puna diplomatike në atë mënyrë është më efikasja”, ka thënë Anthony Godfrey për edicionin e së dielës në “Politika”.

Duke folur për qëndrimet e të dërguarit special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, por edhe të Richard Grenellit, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, ai tha se të dy kërkojnë rifillim të dialogut, inkurajim dhe siç shpreson ai, ndihmë ndaj Kosovës dhe Serbisë që së bashku të vijnë deri tek zgjidhja nga e cila do të përfitojnë të dyja palët, transmeton Koha.net.

Në pyetjen nëse ideja e Washingtonit për ndryshim kufijsh është në tavolinë dhe a mendon ai në njohjen e pavarësisë, ai tha se është me rëndësi që të vihet deri tek bisedimet kuptimplota.

“Këtu do t’më duhet të citoj Matthew Palmerin i cili thotë se në këtë çështje nuk ka vija të kuqe e as mbështetje blanko. Është mënyrë e mirë për të sqaruar se si e sheh Washingtoni këtë çështje. Nuk do të përcaktojmë mënyrën se si dy palët, Beogradi dhe Prishtina, duhet të vijnë deri tek zgjidhja”, tha ambasadori amerikan në Serbi.

Ai shtoi se është me rëndësi që të arrihet deri tek bisedimet thelbësore mes dy vendeve dhe se duhet adresuar të gjitha pengesat e mundshme në mënyrë që të arrihet deri tek një zgjidhje e qëndrueshme e cila do të kontribuonte në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Sipas fjalëve të tij, “taksa, fushata e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë… të gjitha këto janë sfida të rëndësishme”.