Analistët numërojnë pasojat e qeverisjes së Haradinajt, e quajnë skandaloze dhe urojnë të mos përsëritet më kurrë

0
116

Ishin vetëm dy vjet qeverisje, por me shumë të meta e pasoja, po konsiderohet qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, tashmë kryeministër në detyrë. Madje, kjo qeveri për disa analistë politikë në vend po konsiderohet si skandaloze. E disa të tjerë luten që një sistem i tillë qeverisës të mos rikthehet më asnjëherë në Kosovë, shkruan Periskopi.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë për Periskopin se qeverisja Haradinaj ka ndërtuar standard që vendim-marrja të mos bazohej në ligj dhe të ketë shpërfillje të procedurave.

“Qeverisja Haradinaj, është ndër qeveritë më skandaloze që Republika e Kosovës ka pasur jo vetëm nga shpallja e pavarësisë, por edhe nga çlirimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1999. Kjo Qeveri kishte ndërtuar standardin që vendim-marrja lidhur me politika që kanë prekur interesin e përgjithshëm të mos bazohej në ligj dhe të ketë shpërfillje të procedurave”, ka thënë ai.

Miftaraj ka radhitur disa karakteristika të kësaj qeverisje si: punësimet partiake, ftohje të raporteve me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bllokimi i dialogut dhe çështje të tjera.

“Ajo çka e ka karakterizuar Kosovën në dy vitet e fundit kanë qenë punësimet partiake, zbehja dhe ulja e nivelit të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtyrja e Liberalizimit të vizave, bllokimi i dialogut me Serbinë, ngritja e kundërligjshme e pagës së një kategorie të zyrtarëve të lartë publik, fryrja e numrit të veteranëve të luftës, keqmenaxhimi dhe keqadministrimi me paranë publike, përfshirë skandalet me Bektel&Enka, kërcënimet e Qeverisë në raport me Prokurorin Blakaj, vazhdimin e monopolit për homologimin e automjeteve, etj”, u shpreh Miftaraj.

Sipas njohësit të çështjeve juridike, Ehat Miftarajt, Kosova ka shënuar regres më të madh në sundimin e ligjit.

“Qeveria Haradinaj edhe përkundër faktit se në plan program të saj kishte procesin e vettingut dhe themelimin e Byrosë së Hetimeve, të dy këto premtime i ka shkelur duke dalur haptas kundër tyre. Për më tepër, gjatë këtyre dy viteve Kosova ka shënuar regresin më të madh në sundimin e ligjit, ndërtimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi ai.

Qeverisjen Haradinaj njëjtë po e sheh edhe analisti politik, Armend Muja, i cili në Debat Plus të hënën ka thënë se si qeverisja Haradinaj ‘ishalla s’na bjen kurrë me pasë’.

“Si Qeverisja Haradinaj ishalla s’na bjen kurrë me pasë ma, se u kanë qeverisje shumë e çuditshme, megjithëse ai ka qenë kryeministër ai ka pasë problem me i kontrollu ministrat e tij. Dhe në krejt botën kur je në qeveri e përfaqëson Qeverinë e Kosovës, me pas një qeveri koherente sepse është pasë shpërftyru qeverisja deri në atë masë, në gjashtë mujtë e ardhshëm kemi me pa sa informacionet kanë me dalë se sa keq është qeverisë edhe unë mendoj që ishalla nuk përsëritet kurrë ma”, ka thënë Muja.

Qeveria Haradinaj sot pritet të mblidhet për të diskutuar për buxhetin.

Ndryshe kjo qeveri njihet si për faktin se kishte 21 ministri dhe një batalion zëvendësministrash.