Analisti Demhasaj: Nëse s’ka koalicion, të shkohet në zgjedhje ose VV-ja t’i konsultojë partitë e tjera

0
307

Në bazë të Kushtetueses, presidenti ka të drejtë ligjore që ta ftojë partinë fituese për formimin e institucioneve.

Presidenti Hashim Thaçi i ka bërë vazhdimisht thirrje kreut të VV-së, Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve të nominojë kandidatin për kryeministër.

Pas këtij presioni gjatë së hënës Kurti, përmes një letre i është drejtuar kreut të shtetit që të mos bëjë presion, ngase siç thotë ai marrëveshja me LDK-në, është shumë afër.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, i tha Ekonomia Online se ky presion nga ana e presidentit nuk është i drejtë.

Por, sipas tij edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë humbur kohë dhe duhet t’i japin një zgjidhje vendit.

“Në bazë të Kushtetutës presidenti ka të drejtë kushtetuese ta ftoj partinë ose koalicionin që i ka fituar zgjedhjet për tu konsultuar apo për ta dhënë emrin e mandatarit që të filloj afati kushtetues prej 15 ditësh për tu numëruar për tu krijuar qeveria dhe për tu votuar në Kuvend”.

“Është e obligim e partisë fituese për ta nominuar kandidatin për kryeministër. Në situatën që jemi sot ku nuk kemi një marrëveshje politike që krijon një shumicë të mjaftueshme dhe të nevojshme për ta krijuar qeverinë.

Kjo çka po ndodhë nga ana e presidentit është një presion që po i ndodhë partisë fituese, pasi që një presion i tillë nuk e kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara”.

“Në 2017 edhe përkundër që zgjedhjet janë mbajtur në qershor, janë shpallur rezultatet finale është ditur që PAN i ka fituar zgjedhjet, por nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë. Në atë kohë presidenti ka pritur derisa PAN ka siguruar votat tjera nga AKR për ta krijuar shumicën e nevojshme”, u shpreh ai.

Sipas tij, se nëse nuk bëhet marrëveshja ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje ose të bëhet krijimi i Qeverisë me koalicionet e tjera, duke përjashtuar LDK-në.

“Nuk është i drejt presioni që po i bëhet, por LVV së bashku me LDK-në negociatat që i kanë nuk duhet vonuar, pasi që kanë humbur me tepër kohë që nga zgjedhjet. Duhet t’i jepin një zgjidhje kësaj situate. Nëse arrijnë marrëveshje të bëhet sa më parë e të shkoj emri të presidenti”.

“Por në rast se nuk arrihet të ketë një marrëveshje të tilla, duhet të dalin të flasin që nuk ka marrëveshje dhe vendit t’i japin një zgjedhje, qoftë përmes zgjedhjeve ose krijimit të koalicioneve tjera, përjashtuar këtu LDK-në”, ka thënë Demhasaj për EO.

Gjatë ditës kreu i LDK-së, Isa Mustafa është takuar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ku shkurt para medieve ka deklaruar se zgjidhjen për koalicionin duhet ta jap VV-ja.