Analisti politik: Takimi Thaçi-Kurti i varur nga LDK-ja, do të përfundojë pa asnjë rezultat konkret

0
263

Rezultati i takimit të sotëm ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është i varur nga takimet paraprake të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, për shkak të afatit kohor mes këtyre mbledhjeve atëherë ky takim do të përfundojë pa asnjë rezultat konkret.

Kështu bëri të ditur njohësi i çështjeve politike Rrahman Paçarizi.

Ai theksoi se Albin Kurti pas këtij takimi do të deklaron që ka ende kohë për formimin e qeverisë, pasi këtë afat kohor nuk ia përcakton as Kushtetuesja.

“Rezultati i takimit të sotëm ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Lëvizjes varet në masë të madhe nga rezultati i dy takimeve paraprake të LDK-së, njëri i Grupit Parlamentar dhe i Kryesisë së LDK-së. E që fatkeqësisht këto takime janë shumë afër në aspektin kohor me takimin e Thaçit dhe Kurtit.

Shumëçka varet nga ky takim dhe nuk besoj që ka kushte që presidenti ta mandatojë sot Albin Kurti për ta formuar qeverinë. Pres që Kurti do të dalë me një deklaratë të shpjegojë se i duhet ende kohë derisa të arrihet marrëveshja me LDK-në”, u shpreh ai.

Paçarizi theksoi se është gjë e mirë që po ndodh ky takim por nuk mund të pritet asgjë nga ai.

Sipas tij, presidenti Thaçi nuk mund ta mandatojë askënd pa pasur një emër, andaj thotë se nuk duhet të përshpejtohet procesi i qeverisjes.

“Takimi i sotëm është një takim i mirë më në fund do të ndodhë pas disa përpjekjesh por nuk duhet pritur mrekulli nga ky takim. Nëse sot nuk mandatohet Kurti ose kushdo qoftë për ta krijuar qeverinë e re, ka ende kohë pasi kushtetuta nuk e përcakton këtë.

Afati kushtetues nis të rrjedh që nga momenti do të mandatohet kryeministri. Thaçi nuk mund ta mandatojë këdo qoftë pa pas një emër nga partia që ika fituar zgjedhjet.

VV e ka komoditet kushtetues edhe për pak kohë derisa ta përcaktoj mandatarin. Nuk duhet të sakrifikohet cilësia e qeverisjes në favor te një kohe të shpejt të gjetjes së kryeministrit. Nëse janë vonuar kaq mund të vonohen edhe 1 ose 2 jave nuk ka shumë telashe”, tha ai.

Ndër të tjera, profesori universitar deklaroi se LDK-ja dhe VV-ja do të gjejnë një zgjidhje tjetër për të hyrë në koalicion.

“Nëse nuk ndodh koalicioni LDK-VV mund të ketë përpjekje të tjera të presidentit Thaçi, mirëpo nuk shoh gatishmëri nga palët e mundshme për tu përfshirë në një qeverisje të një lloji tjetër sidomos pa VV. Vendi do të shkonte në zgjedhje të reja në rast se nuk do të ketë koalicion. Unë besoj të dy partitë do ta gjejnë një zgjedhje për t’i hyrë bashkëqeverisjes”, ka thënë Paçarizi për EO.

Takimi ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit pritet të zhvillohet në ora 15:00.