Analisti pranë selisë blu: Berisha po e përdor PD-në si një ‘gomone’ shpëtimi

Analisti Ergus Mertiri, në një intervistë për “News Line” tha se Sali Berisha nuk e njeh humbjen. Ai tha se Berishës nuk i intereson që të mundë kryeministrin Edi Rama por të shpëtojë veten. Sipas analistit, Berisha po e përdor PD-në si një ‘gomone’ për të kaluar barrierat e vendosura nga SHBA.

“Berisha nuk ka njohur dorëheqje edhe kur ishte në kushte normale. Të gjitha zgjedhjet që ka humbur ka thënë se i kanë vjedhur. Ajo që mendoj në këtë rast është fakti që Berisha s’e ka njohur dorëheqjen si institucion. Kur ka qenë jo në kushtet që ndodhet sot, ka thënë se vjedhjet i kanë vjedhur.

Nuk ka pohuar kurrë i kam humbur. Kur i fiton, thotë i fitova dhe kur i humb thotë i vodhën. Qëllimi i tij nuk është për të mundur Ramën por për të mbijetuar në politikë. Berisha kërkon të qëndrojë në politikë. Nuk i intereson PD si një anije për të shpëtuar PD por ta përdorë si një gomone për të kaluar lumin që i kanë vënë përpara si barrierë amerikanët.

Do të gjejë alibira nga më të ndryshme për të thënë se revolucioni vazhdon. Kjo lloj farce do të kthehet në një komedi. Berisha nuk tërhiqet. Ai sigurisht nuk mund të bëjë dot ndryshe. Mendoj se PD duhet ta kishte kuptuar me kohë se kjo rrugë që po e çon Berisha këtë parti është e rrezikshme sepse po e lë vendin pa opozitë.

Berisha po e lë Ramën në pushtet. Po pengon që opozita të normalizohet. Politika shqiptare ka një problem që quhet Sali Berisha. Ky po pengon që politika të ketë opozitë.”, tha Mertiri.