Andin Hoti i përgjigjet Avdullah Hotit: Deklaratat tua s’i merr askush seriozisht!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti i ka reaguar shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hotit, rreth komentit për iniciativën e Kadri Veselit për themelimin e një Komisioni Hetimor për listat e veteranëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së tha dje pas konferencës së Veselit se ‘kjo iniciativë është për ta larë vetën’, njofton Klan Kosova.

Bashkëvendësi i tij, që është nga radhët e PDK-së, Andin Hoti i është përgjigjur atij, duke e quajtur ‘si një nga liderët e shumtë të LDK-së’ që vetëm komenton në Facebook dhe nuk vepron asgjë.

Ai madje ka thënë për të se ka kaluar në atë nivel sa nuk e merr më askush seriozisht.

Ky është statusi i tij i plotë:

”Njeri nga ‘liderët’ e LDK-së (se janë bërë shumë), Avdullah Hoti paska thënë se iniciativa për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me listat e fryra të veteranëve është “për ta larë veten”. Si çdo iniciativë tjetër, që mund të jetë interes i qytetarëve, për çudi LDK del kundër (po e kujtoj rastin e fundit, iniciativën për themelimin e Gjykatës ndërkombëtare për Gjenocidin e Serbisë në Kosovë, për të cilën LDK e lëshoi sallën e Kuvendit).

Veç për kuriozitet, sepse deklaratat e z. Hoti nuk mund të merren më seriozisht, sidoqoftë, çfarë ka të lahet Kryetari i PDK-së për luftën para teje z. “Lider”? Si është e mundur që nuk skuqeni kur flisni para z. Veseli për luftën? Apo ndoshta, e barazvlerësoni luftën që ti e ke parë në filma, me luftën që z. Veseli e ka bërë në 1997-1999 përball paramilitarëve serb, dhe i jep vetit të drejtë të flisni për luftën? Jo, lufta e UÇK-së nuk ka qenë skenë filmi, ka ndodh në të vërtetë, para hundeve tuaja.

“Ne Lidhja Demokratike e Kosovës do të…” është frazë e njëjtë si në fushatën e kaluar, e besa në çdo fushatë tjetër, por unë nuk e mbaj mend një mandat tuajin që mund të merret për lavdatë, e aq më pak shpresëdhënës.

Fatkeqësisht për simpatizantët tuaj, disa nga ju “liderët” e LDK-së jeni bërë veç komentues të Facebook-ut, por as aty s’po ju merr kush më seriozisht. Nuk kanë faj, sepse ti z. “Lider” nuk mbajë mend që ke dhënë ndonjë deklaratë me përmbajtje serioze, ti s’e flet të vërtetën, e madje gënjen edhe hapur publikun kur mediat i ke para vetes. (Ne Lidhja Demokratike e Kosovës NUK do të marrim pjesë më në asnjë votim…) frazë tjetër jo serioze e juaja, që e kam ndegju me dhjetëra herë në Kuvend.

Rrahja brenda anëtarësisë së LDK-së në Degën e Mitrovicës si tu duk, kush fitoj në atë ‘duel’? Oh, harrova “spaske” qenë aty! Teknologjia të zuri në rrenë edhe këtu! Kjo është çfarë ka mbetur nga LDK-ja si zë politik e moral. Asnjë parti nuk është e keqe, Liderët dhe platformat politike të tyre e bëjnë dallimin, e LDK do të mbetet në opozitë gjithmonë me “lider” si ti, e politika të tilla!”