Andin Hoti paralajmëron padi ndaj Serbisë për rastin e Ukshin Hotin

Në 20-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të çështjes kombëtare dhe intelektualit Ukshin Hoti, djali i tij, Andin Hoti ka paralajmëruar se do ngre padi ndaj Serbisë për rastin e babait të tij.

Në një intervistë të dhënë për Telegrafin, Hoti tha se Serbia duhet të përgjigjet për 1 mijë e 600 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Zhdukja e babit dihet botërisht se ka ndodhur me forcë nga organet serbe, për shkak se babai ka qenë në burgun e Dubraves. Ne ende si familje, po ashtu sikur edhe familjet tjera mbajmë shpresë që të dihet fati i babait dhe i 1600 personave tjerë që janë zhdukur me forcë nga Kosova. Shumë shpejtë do të kem mundësi që të bëjmë padi ndaj Serbisë për rastin e Ukshin Hotit”, tha ai për Telegrafin.

Hoti ka fajësuar edhe ndërkombëtarët që nuk e kanë trajtuar me seriozitet çështjen e personave të pagjetur. Ai ka kërkuar që në fazën finale të dialogut me Serbinë, pika e parë të jetë çështja e të pagjeturve.