Anëtari i VV-së ironizon me LDK-në: Gjarpri do të mbetet pa ushqim, ne do ta mundim atë

0
199

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka ironizuar lidhur me koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zaimi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se dikujt po i ngutet që ne të bëjmë një kapërcim fatal drejt gojës së gjarprit.

“Gjarpri do të mbetet pa ushqim – ky është obligimi ynë qytetar. Ne do ta mundim gjaprin” shkruan Zaimi në Facebook

Postimi i plotë:

Në një dokumentar zoologjik ish një skenë interesante. Një gjarpër rrinte pranë një bretkose, me gojën hapur. Pas disa çastesh pritje e ankth, bretkosa kërceu drejt e në gojë të gjarprit.

Ku i dihet si mund të jetë ndjerë bretkosa në ato çaste. Mbase i janë dukur shumë të gjata. Mbase e ka përjetuar gjithë jetën e saj prej bretkose si në ndonjë film të përshpejtuar. Mbase ka thënë me vete: nuk di ç’të bëj, por kohë s’mund të humb. Mbase i ka thënë vetes “kërce! siç kërcen gjithmonë”. E gjarprit – tiranit të moçalit – nuk iu desh të bëjë asgjë, veç të priste me gojën hapur. Herëdokur bretku do të kërcente vetë aty, nga nxitimi, nga ankthi se mos po humbte kohë.

Ne nuk jemi bretkosa, e as vendi ynë nuk është kënetë. Dikujt po i ngutet që të bëhet një kërcim fatal drejt gojës së gjarprit, dikush po e shtyn opinionin në atë drejtim. Por gjarpri do të mbetet pa ushqim – ky është obligimi ynë qytetar. Ne do ta mundim gjarprin.