Anton Quni: E filluam mirë, por e dreqosëm

0
300

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka folur rreth prishjes së raporteve mes dy partnerëve qeverisës, Vetëvendosje dhe LDK-së.

Ai tha se filloi mirë, por u dreqos.

Megjithatë, Quni shpreson për urtësi edhe në partinë e tij e edhe në partinë e Albin Kurtit.

Ai madje shkroi se kur dy palë lidhin miqësi dhe urojnë për mbarësi dhe i gëzohen suksesit të njëra-tjetrës, ka të armiq që e gërryejnë këtë lidhje.

Ministri nga Prizreni tha se ka edhe ndarje me hije dhe se prapë në të ardhmen, VV dhe LDK, mund t’i duhen njëra-tjetrës.

Statusi i plotë:

E filluam mirë dhe e dreqosëm, tani të tregohemi të urtë!

Kur dy zot shtëpie lidhin miqësi, partneritet apo koalicion, e bëjnë këtë për t’u siguruar se do t’ia dalin në arritje të synimit i cili kërkon bashkim për t’u realizuar suksesshëm.

Por, partneriteti ka rregulla, kode dhe norma të shkruara e të pashkruara mbi të cilat ndërtohet besimi reciprok.

Për ta ndërtuar besimin, që të dy ata e fillojnë ditën dhe e mbarojnë së bashku. Në mjes urohen për ditë të mbarë e në mbrëmje i gëzohen suksesit.

Por, jo të gjithë i gëzohen kësaj pune. Ziliqarët, ngatërrestarët e deri tek armiqtë nga frika e lakmia që ta gërryejnë miqësinë me kërcënime, lekë, grada e tituj. Disa nga mashkujt dhe bijat e të zotëve të shtëpisë frikësohen, mashtrohen dhe lakmojnë dhe bëhen argat të së keqes. Ngrehin dyshime në zotin e shtëpisë dhe në aleatin e tij. Besa fillojnë dhe i servilosen të zotit të shtëpisë kinse për ta mbrojtur nga miku -“armiku” i tij.

E kush më shumë, e kush më pak e sjellin në dyshim miqësinë deri në histeri sa që më nuk dihet kush e nisi dhe pse e nisi.

Të tjerët përreth fillojnë ti fërkojnë duart, e herë i japin të drejtë njërit e herë tjetrit duke ua rrahur shpatullat.

Të zotët e shtëpisë, të shtrënguar nga sherret e anëtarëve të shtëpisë, më nuk munden me e shiku njëri – tjetrin në sy. Turpërohen ose acarohen, nguten apo hezitojnë, masin e çmasin.

Disa nga jashtë presin që aleatët t’i kryqëzojnë shpatat mes veti, e qe besa luten që të dytë të bien përdhe.

Nëse njëri del fitues, do t’i ofrojnë miqësi duke e bindur se e ndihmuan ata për çka meritojnë të shpërblehen.

Por, vjen një moment vendimtar, që të zotët e shtëpisë ulen dhe tregojnë urtësinë e tyre duke kujtuar se ishin betuar të respektojnë rregullat e kodet mbi të cilat kishin ngritur aleancën e tyre për të mirën e komunitetit.

Vjen koha kur ata ulin armët e fillojnë të dëgjojnë me kujdes njëri-tjetrin.

Nëse jo më shumë, së paku një armëpushim përballë një rreziku më të madh i cili nuk njeh moshë, gjini, parti e fe.

Të urtit e të diturit i kërkojnë falje njëri-tjetrit, besa edhe falin.

Shtrëngimi i duarve në mes tyre është shpresë për të moshuarit, të sëmurit, skamnorët, të papunët dhe të rinjtë.

Të tillët e kanë bekimin e Zotit kurse e keqja ju rri larg.

Ja, unë fola.

Fola për ju që e donit qëndrimin tim.

Kam folur edhe me të zotin e shtëpisë dhe me të tjerët e shtëpisë time.

Ata e dinë sa mundem dhe deri ku mundem.

Unë i besoj të zotit të shtëpisë time, besoj se ai do t’i jep rrugë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Por, nuk do ta rëndoj mikun më të cilin bashkëpunuam e uroj që edhe ai të ketë urtësinë sa mos t’na rëndojë askënd nga ne.

Në fund edhe po u ndamë, të ndahemi si ka hije, sepse ka edhe ndarje me hije.

Nuk i dihet, ndajmë një nënqiell dhe ndoshta nesër do t’i duhemi prapë njëri-tjetrit.