AP: Specialja përballet me sfida të vështira në kërkim të drejtësisë

Dy dekada pas luftës së Kosovës për pavarësi, një gjykatë në Hagë ka thirrur një grup të vogël të ish-luftëtarëve të lirisë për t’i marrë në pyetje në lidhje me rolet e tyre gjatë luftës së përgjakshme.
Ndonëse urdhëresat për t’u paraqitur në Hagë nuk janë konfirmuar nga prokurori i gjykatës i angazhuar me rastet, i cili ka refuzuar të intervistohet, të njëjtat janë publikuar gjerësisht në Kosovë, ku gjykata konsiderohet e dyshimtë për shumë, raporton AP.
Agjencia e lajmeve AP shkruan po ashtu se boshllëku 20 vjeçar nga lufta e deri në fazën e tanishme të hetimeve thekson vështirësinë e bërjes së drejtësisë në Kosovën ende të tensionuar e me ndasi etnike, transmeton Koha.net.
Shumë ish-liderë të UÇK-së sot mbajnë pozita kyçe në pushtet, përfshirë kryeministrin Haradinaj dhe presidentin Thaçi.
Sfidë kyçe për prokurorët që tani po i ndërtojnë rastet është mbrojtja e dëshmitarëve të gatshëm të dëshmojnë kundër luftëtarëve që nga shumë shqiptarë të Kosovës konsiderohen çlirues të vendit.
Gjykime të mëhershme ndaj Kosovës në Tribunalin e Hagës që ndoqi krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan në vitet e ’90-ta u prishën si pasojë e ndërhyrjeve të shumta ndaj dëshmitarëve – përfshirë edhe gjykimin ndaj Haradinajt.
Ai u lirua në vitin 2008 nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në një gjykim me shkrim, gjykatësit thanë se frikësimi i dëshmitarëve ishte shumë i përhapur. Gjyqtarët e apelit urdhëruan një rigjykim i cili po ashtu e shpalli të pafajshëm Haradinajn dhe dy të dyshuar tjerë.
Ish-ambasadori amerikan për Krime Lufte, Clint Williamson, udhëhoqi një Task-Forcë Speciale Hetuese të financuar nga BE-ja për të hetuar supozimet e raportit të Këshillit të Evropës. Ai e di se sa e vështirë mund të jetë ndërtimi i një rasti solid.
“Kosova është vend shumë i vogël dhe secili në njëfarë mënyre e njeh secilin”, tha ai për “The Associated Press” në një intervistë telefonike. “Është një ambient sfidues për të zhvilluar një hetim të ndjeshëm dhe të shkohet tutje me ndjekje penale”.
Williamsoni lëshoi raportin e tij më 2014 duke thënë se Task-Forca e tij arriti në përfundimin se krimet e përhapura të kryera menjëherë pas përfundimit të luftës më 1999 justifikuan një ndjekje penale për krime kundër njerëzimit kundër “disa zyrtarëve të lartë të ish-UÇK-së”. Raporti nuk përmendi emra të zyrtarëve.
Raporti tha po ashtu se ka gjetur “indikacione bindëse” se një numër i vogël i të burgosurve ishin vrarë në mënyrë që organet e tyre t’u hiqen e të shiten, por nuk pati dëshmi të mjaftueshme në atë kohë për ndjekje penale.
Sabahajdin Cena, një profesor i pensionuar 65 vjeçar, është një nga kosovarët e thirrur në Hagë këtë javë. Ai thotë se do të shkojë “për të dhënë llogari për krenarinë time si luftëtar për pavarësi, apo si individ”, transmeton Koha.net.
Ai është i pakënaqur se mandati i gjykatës mbulon vetëm raportin e Këshillit të Evropës ndaj krimeve të supozuara nga luftëtarët e UÇK-së gjatë një periudhe tre vjeçare nga 1998 deri më 2000 dhe jo ndaj serbëve që kanë ndërmarrë fushata brutale në Kosovë.
“Është e padrejtë të ftohemi ne e jo serbët”, thotë Cena për AP.
Disa serbë, shkruan AP, janë shpallur fajtorë nga Tribunali i Hagës për krime në Kosovë.
Velko Odalloviq, zyrtar i lartë i qeverisë serbe që merret me personat e zhdukur nga luftërat në Ballkan, ka mirëpritur raportimet se ish-luftëtarët e UÇK-së do të merren në pyetje.
“Është shumë me rëndësi që dikush ka mbledhur forcë dhe ka pranuar se krime të rënda kanë ndodhur ndaj popullatës serbe dhe asaj jo-shqiptare”, ka thënë Odalloviq