Arbana Dollani, juristja shqiptare që kuron imazhin e yjeve të HOLLIVUDIT

Suksesi nuk është rastësi. Ai është rezultat i durimit, punës dhe shpresës. Nuk mjafton vetëm ëndrra për të të çuar përpara, duhet të kalosh nëpër shumë shtigje. Sot, Arbana Dollani është një emër i njohur në Amerikë. Ajo është grimierja dhe stilistja e flokëve e shumë personazheve të njohur, që nga këngëtarët e deri tek artistët e famshëm të Hollivudit.

Vajza e ëmbël dhe e qeshur nga Durrësi është dora e fundit krijuese e shumë punëve që presin një konfirmim nga ajo. Për ta njohur më mirë atë, ashtu si unë, ju ftoj të lexoni historinë e jetës së saj. Arbana u gjend në Amerikë në vitin 1994 së bashku me familjen, pasi i ati shkoi për një specializim në Universitetin e Çikagos. Pas disa muajsh, familja aplikoi për lotarinë amerikane dhe e fitoi. Ajo mban mend që kur ka qenë e vogël, ka eksperimentuar me pasionin e saj. Modelet e para që nisi të provonte ishin te një kukull e vogël, në shtëpinë e xhaxhait, në Fier.

Ishte me pushimet e verës dhe, çdo natë, pasi kushërirat binin të flinin, ajo çohej, zbriste kukullën, e cila ishte vënë në bufe për zbukurim dhe I priste pak e nga pak flokët. Megjithatë, nëna e saj ka qenë

personi i parë me të cilën ka eksperimentuar vërtet. Ajo mban mend që çdo të diel shoqëronte të ëmën, së cilës i jepej të bënte nuse, pavarësisht se ishte ekonomiste me profesion. Në fakt, ajo sot po vë në jetë jo vetëm pasionin dhe ëndrrën e saj, por edhe atë të nënës së saj. Në gjimnaz, iu dha mundësia për të filluar programin si parukiere, por prindërit, veçanërisht babai, refuzuan. Dëshira e tyre ishte që ajo të bëhej juriste dhe edhe në respekt të sakrificës që ata bënë, duke u larguar nga Shqipëria, Arbana vendosi të hiqte dorë nga pasioni dhe të vazhdonte studimet e larta.

Ajo u është mirënjohëse prindërve, të cilët këmbëngulën që të vazhdonte shkollën e lartë, sepse ka mësuar shumë jo vetëm për jetën, për komunikimin me njerëzit, por edhe për biznesin, dhe këto mësime e kanë ndihmuar në fushën ku punon aktualisht.

Sot, Arbana Dollani është një 39-vjeçare e diplomuar në Universitetin e Nevadës në Las Vegas, në degën e shkencave të komunikimit, por ka studiuar edhe për drejtësi penale. Si çdo vajzë e re, ajo kishte shumë dëshirë të vazhdonte më tej juridikun, por nuk mund ta përballonte dot financiarisht dhe për këtë arsye vendosi të punonte e pastaj t’i rikthehej studimeve.

Fati deshi që të punonte si koordinatore për këngëtaren e famshme kanadeze, Celine Dion. Ky vendim ndryshoi kryekëput trajektoren e jetës së saj. Bashkëpunimi me këngëtaren e madhe zgjati tre vjet, që për Arbanën do të ishin një shkollë më vete. Gjate viteve që punoi me të, ajo punoi njëkohësisht edhe me René Angélil, bashkëshortin dhe menaxherin e këngëtares kanadeze. “Unë merresha me VIP–at që ishin të ftuar nga çifti dhe  këta persona takonin Celine-n në dhomën e saj, përpara se të niste koncerti, – thotë ajo, duke na treguar edhe disa detaje rreth këngëtares e duke na e përshkruar atë si një natyrë të dashur dhe me mjaft humor.

-“Nuk kishte një sjellje prej dive, e mbaj mend si një person me këmbë në tokë. Ka një humor të jashtëzakonshëm. Celine është e admirueshme dhe fal shumë dashuri, ndaj me bindje I cilësoj ato tre vite si më të bukurat e jetës sime.”

Arbana është krenare për atë që ka arritur, edhe pse vazhdon të eksplorojë në këtë fushë. Fillimi i punëve të saj me kopertinat e revistave  ka qenë me modelen e njohur Emina Cunmulaj, për kopertinën e revistës “Teuta” në qershor të vitit 2017, një shërbim fotografik i realizuar në shtëpinë luksoze të vetë modeles. Më pas erdhën me radhë shumë kopertina të tjera, po kaq të rëndësishme sa ajo e “Vanity Fair” (25th Hollyëood Issue), ku punoi me aktorin Henry Golding, të filmit të njohur “Crazy Rich Asians” dhe me Nicholas Hoult, i filmit “The Favorite”.

Gjithashtu, ajo ka qenë edhe pjesë e kopertinës “Billboard Magazine” me këngëtarin amerikan Charlie Puth. Punët e saj janë botuar në revista të ndryshme si, “Cosmopolitan US”, “Cosmopolitan Bulgaria”, “Solar”, “Papillon”, “Volition and Hooligans”. Ndërkohë, ka pasur fatin të punojë edhe me stilistë të njohur si Adir Abergel, me të cilin ka kuruar imazhin e Charlize Theron, Soairse Ronan dhe Maria Sharapova gjatë ndarjes së çmimeve Oscar.