Arbër Zeneli: Ndaj Suedisë luajmë vetëm për tri pikë

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme (e diel) ndaj Suedisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Dardanët e presin Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 në ndeshjen hapëse për në të vlefshme për Grupin B.

Në konferencën për shtyp të mbajtur sot (e shtunë) ka folur edhe Zeneli, i cili në të kaluarën luante për ekipet e moshave të Suedisë.

“Kemi folur për këtë lojë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Suedia është shumë e fortë dhe e kanë sjell edhe një lojtar klasi botëror sikurse Zlatan Ibrahimovic. Por, ne jemi këtu për tri pikë dhe të shohim se çka po ndodhë”, ka thënë fillimisht Zeneli në konferencë për shtyp.

“Normal që është një ndeshje speciale për mu sepse kom luajtur për Suedinë prej që jam 15 vjeç, por unë shikoj veç për fitore dhe e kom gjet mënyrën time për me luajtur. Ne shkojmë në këtë ndeshje vetë për tre pikë”.

Tutje, sulmuesi i Kosovës u pyet a është i lumtur që do të përballet me Ibrahimovicin.

“Po edhe jo. Ai është një lojtar tejet i mirë, tani ka 39 vjet dhe luan si të ketë 22. Jam i lumtur që Ibrahimovic po luan, ai ka hapur shumë dyer në Suedi për ne lojtarët e ri që kemi filluar karrierën atje”.

“Është një mundësi e mirë. Kjo është njëra nga ndeshjet më të rëndësishme në karrierë. Ibra është idhull për mua”, përfundoi ylli i Kosovës.