Ardita Sinani: Të bashkohemi për Kosovën, zgjedhjet e reja lokale “ide e djallëzuar”

Ardita Sinani, ish Kryetarja e Komunës se Preshevës, njëherit Kryetare e degës se PVD-së në Preshevë, duket se është kundër zgjedhjeve lokale në Preshevë.

Pas tërheqjes së këshilltares së APN-së, nga koalicioni qeverisës lokal, Fetanete Mehmeti, tashmë pushteti në Komunën e Preshevës është i rënë, derisa akterët e ‘Alternativës për Ndryshim’, të kryetarit Shqiprim Arifi, paralajmërojnë organin e përkohshëm që e delegon qeveria serbe, dhe pastaj zgjedhje lokale ne korrik te këtij viti.

Ardita Sinani është kundër idesë se zgjedhjeve në këto momente, shkruan Indeksonline.

“Mbase, unë as nuk e besoj as nuk e mendoj që Presheva duhet të shkoj në zgjedhje të reja lokale, sidomos në këtë vit, apo thënë drejtë, është tmerrësisht “ide e djallëzuar” që pikërisht kur pritet nënshkrimi i marrveshjes finale mes Kosovës e Serbisë ku tashmë edhe zyrtarisht Presidenti Thaçi, po edhe grupi negociator i Kosovës e kanë futur në agjendë, Luginën e Preshevës. Presheva te “drejtohet” me “të përzgjedhurit” e Beogradit, masat e përkohshme, apo edhe te shkoj në fushata elektorale lokale pikërisht gjatë kësaj periudhe është shumë e rrezikshme” shprehet Sinani.

“Personalisht mendoj, dhe do të pajtohesha që më e mirë do ishte sikur të gjithë shqiptarët, partitë politike shqiptare të bëhemi bashkë, se sa te futemi në garë zgjedhore për pushtetin lokal në Preshevë, në kohën kur vetëm mund ta pengojmë procesin për arritjen e marrëveshjes finale mes Serbisë e Kosovës” thotë mes të tjerash Ardita Sinani.

E pyetur nëse ajo do ta pranonte Shqiprim Arifin për kryetar edhe në qeverisje teknike, Ardita Sinani shprehet se ai tashmë nuk e ka legjitimitetin e këshilltarëve komunal.

“Humbja e shumicës se këshilltareve komunal nga ana e APN’s së Shqiprim Arifit nuk është faj i opozitës, derisa Mehmeti, ka shpreh pakënaqësinë me veprimet e pushtetit lokal dhe është larguar nga koalicioni qeverisës, prandaj une mendoj qe as Shqiprim Arifi tashmë nuk e ka legjitimitetin e këshilltarëve komunal, çka rrjedhimisht me shtynë te mendoj, që para se të shohim pozitat personale, këtë radhë duhet të jemi të përqendruar në dialogun Kosovë – Serbi, ku Lugina e Preshevës e ka shansin historik të bashkohet me Kosovën, dhe ndërlidhur me të, e vetmja gjë që do doja te theksoja është se jam kategorisht kundër zgjedhjeve lokale këtë vit, sidomos ne 6 mujorin e parë të këtij viti. Le te jemi bashkë se paku për Kosovën, qoftë edhe pa pjesëmarrjen e asnjërit nga drejtuesit e Partive Politike në Preshevë, përfshirë Shqiprim Arifin, Ragmi Mustafën e Sami Salihun, normalisht edhe mua. Unë guximshëm besoj qe nëse tejkalohen teket personale dhe apetitet për pushtet në Preshevë, zgjedhjet e reja lokale do mbahen nën ombrellën e Republikës së Kosovës, ky mbase edhe është qëllimi i çdo shqiptari të Luginës, andaj, ripërsërisë, zgjedhjet e reja lokale, sikur edhe organet e përkohshme, janë ide në dëme të procesit nëpër të cilin pritet të hyjë edhe Lugina Preshevës “përfundoi Ardita Sinani.