Arrestohen shtatë persona për përfshirje në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’

0
135

Policia e Kosovës njofton se sot, më 24.07.2021 rreth orës 06:30, njësitet policore kufitare gjatë vëzhgimit të terrenit në Vërmicë, konkretisht nën urën e parë të autostradës, pikërisht te shkyçja e parë e autostradës, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta.

Aty kanë parë teksa arritën gjashtë vetura TAXI, ndërsa tek shkurret dhe malet është vërejtur teksa kanë hyrë në automjete disa emigrantë.

“Patrullat policore që ishin në vëzhgim menjëherë kanë intervenuar dhe gjashtë automjete janë shoqëruar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Vërmicë. Për rastin janë njoftuar hetuesit policor të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Perëndimi Gjakovë, Drejtoria e Migrimit dhe prokurori i shtetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Migrim, kanë filluar sipas procedurave të merren me pesëmbëdhjetë emigrantë të ndaluar në këtë rast.

“Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë për përfshirje në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’, po ashtu janë sekuestruar edhe gjashtë vetura të përfshira në rast”, njofton policia.