Arrestohet i dyshuari për vjedhjen në zyrat e OVL UÇK-së në Lipjan

0
133

Ditë më parë zyra e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lipjan ishte cak i hajnave. Persona të panjohur kishin hyrë brenda objektit në mënyrë të dhunshme dhe sipas njoftimit të kësaj dege, ata kishin arritur që të marrin me vete shtëpizën e kompjuterit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas një pune hetimore të Policisë së Kosovës dje është arritur që të identifikohet personi i dyshuar, D.U., i cili u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 22-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Kujtojmë se lidhur me rastin, zyrtarët e degës së OVL-UÇK-së në Lipjan kanë shprehur indinjatën e thellë.

”Me këtë rast, ne veteranët e kësaj dege, shprehim indinjatën tonë dhe paknaqësinë më të thellë. Edhe kjo po ndodhka! Sipas kësaj po shihet që, numri i atyre që janë anti UÇK dhe antikombëtarë, po rritet mjerisht. Huliganët që kanë thyer derën dhe kanë hyrë dhunshëm ne zyrë, kanë marrë me vete shtëpizën e kompjuterit”