Arrestohet pjesëtari i BIA-s serbe, akuzohet për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës

Serbia vazhdon të tentojë që përmes njerëzve të infiltruar në Kosovë të ndikojë si tek serbët e Kosovës po ashtu edhe të nxis tensione në vendin tonë.
Së fundi, një serb, pjesëtarë i sigurimit shtetëror të Serbisë (BIA) është arrestuar në Gjilan.
Ballkani.info merr vesh së bëhet fjalë për Srba Antiq, pjesëtar i BIA-s i cili akuzohet për sulm kundër Rendit Kushtetues të Kosovës.
Burimet tona bëjnë të ditur se Antiqit i është zënë edhe një revole, ndërsa është paraqitur rrejshëm si kryetar i Organizatës “Diabeti”.
“Antiqit i është zënë revolja e mbulur me ilaçe, duke u munduar ta fshehë”, thonë burimet e Ballkani.info.
Antiqit në ditën e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt, i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.
Arrestimin e tij dhe caktimin e paraburgimit prej 1 muaj, për Ballkani.info e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Gjilan.
“Mund të ju njoftojë se me datë 17.02.2019, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka nxjerrë aktvendim, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit, Srba Antiq”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Sipas kësaj Gjykate, i pandehuri dyshohet për kryerjen e tre veprave penale: sulm kundër rendit kushtetues neni 121 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), mashtrimi nga neni 325 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe kanosje nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së.
Po ashtu Gjykata konfirmon se Antiq në vazhdimësi është paraqitur si përfaqësues i Organizatës “Diabeti”. /Ballkani.info/