Arrestohet punonjësja e SHSKUK-së, kërkoi 400 euro ryshfet

Policia e Kosovës ka arrestuar një punonjëse të Shërbimit Spitalor, pasi ka kërkuar 400 euro ryshfet nga një person për t’i rregulluar dokumentacionin për pension si viktimë e luftës.

“Me datë 19.03.2019, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacionin se e dyshuara femër (me inicialet F.C.) punëtore në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka kërkuar para (të holla) në vlerë prej 400 euro nga viktima me qëllim që t’i rregulloj disa dokumente mjekësore, për përfitim të një pensioni si viktimë civile e luftës”, njofton Policia.

E dyshuara është vëzhguar fshehtas nga policia, ndërsa është arrestuar menjëherë pasi ka marrë ryshfetin.

“Me datë 02.04.2019, pasi e dyshuara (F.C.) është takuar me viktimën e rastit dhe nga ajo ka marrë shumën e parave në vlerë prej 400 euro për t’i rregulluar dokumentacionin e lartcekur, menjëherë pas marrjes së parave e dyshuara është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Me vendim nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e dyshuara e arrestuar dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Lini një Përgjigje