Arsye aktakuza/ Jep dorëheqje drejtori i Financave në Prizren

0
294

Drejtori për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, Ertan Simitçi, ka dhënë dorëheqje pas aktakuzës së ngritur në fund të muajit të kaluar.

“Kemi pasë angazhim shumë të mirë me stafin e juaj. Por ky rasti i jem është rast i veçantë dhe e dijë që nuk është lidhur me juve, me mandatin e juaj por me problematikën e Prizrenit. Duhet të marrim një vendim konkret që qytetarët ta dinë që në Prizren gjithherë ka pasë transparencë. Nga sot do jap dorëheqje nga detyra ime dhe do lirohem nga të gjitha akuzat dhe do merrem vetëm me këtë proces”, ka thënë Simitçi.

Ngritjen e aktakuzës ndaj drejtorit, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka quajtur tendencioze.

Simitçi akuzohet se në periudhën janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa, ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke u dhënë disa medieve lokale në këtë qytet para në vlerë prej 11 mijë e 800 euro, pa kaluar fare në procedura të tenderimit, të cilat janë të parapara me ligj.

Për ditë me radhë organizata të shoqërisë civile në Prizren përmes një reagimi i kanë kërkuar kryetarit të Prizrenit që të shkarkojë drejtorin e Ekonomisë dhe Financave, ndaj të cilit ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.